Kosova

PSD-ja paralajmëron “përshkallëzim të aksioneve” kundër Asociacionit


Ilustrim

Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, së bashku me disa aktivistë të këtij subjekti politik, nëpërmjet një aksioni simbolik në oborrin e Qeverisë së Kosovës të hënën, ka vlerësuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e “zhbën” projektin multi-etnik të Kosovës.

Aktivistët e PSD-së kanë zëvendësuar flamurin e Kosovës, duke paraqitur një ‘flamur’ të improvizuar në përbërje prej dy yjeve dhe një pjese të territorit kosovar të ngjyrosur me ngjyrë të bardhë për të simbolizuar komunat e banuara me shumicë serbe, derisa kanë paralajmëruar “përshkallëzim të aksioneve” kundër themelimit të këtij mekanizmi.

“Nga sot edhe flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjti. Ai duhet të paraqesë – për fatin tonë të keq – një realitet të hidhur dhe të dëmshëm për Kosovën. Nga sot flamuri i Kosovës i ka vetëm dy yje. Kemi themeluar një konfederatë të brendshme mes shqiptarëve dhe serbëve, pa pajtim qytetar. Aksionet do të përshkallëzohen, do të kemi edhe protesta”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, kreu i PSD-së ka përmendur edhe njëherë shkëmbimin e territoreve apo ripërcaktimin e kufije, duke qenë e vetmja mënyrë e zgjidhjes afatgjatë e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, në dritën e intesifikimit të diskutimeve mbi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Bashkimit Evropian (BE) paraprakisht ka prezantuar një “draft të ri” në lidhje me “instrumentin vetë-menaxhues” për serbët e Kosovës dhe për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), ndërsa Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin e tij dhe ka pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme, duke ofruar edhe nënshkrimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore