Lajme

PSD aksion para EULEX-it: Drejtësia speciale nuk është drejtësi, ajo është konfirmim i padrejtësisë


Aksioni i PSD-së para zyreve të EULEX-it.

Partia Socialdemokrate përmes një aktiviteti përballë zyrave të EULEX-it në Kosovë ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin për krime lufte të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Nol Nushi nga PSD-ja është shprehur se vendimi ndaj Mustafës është vetëm konfirmim i padrejtësisë.

“Ne nuk jemi kundër drejtësisë, nuk jemi kundër çfarëdo gjykimi që ka për thelb drejtësinë, mirëpo drejtësia speciale nuk është drejtësi, drejtësia selektive nuk është drejtësi, ajo është konfirmim i padrejtësisë dhe po i bëhet dëm i madh Kosovës në secilin aspekt, edhe në historikun e luftës së saj çlirimtare dhe në bazat e saj që është pavarësia që vjen nga lufta e drejtë e UÇK-së”, ka thënë Nushi.

Aksioni i PSD-së para zyreve të EULEX-it.

Sipas tij, shprehja e gjykatëses është e papranueshme për secilin qytetarë të Kosovës.

“Është vendi ku janë marrë në pyetje me qindra luftëtarë të lirisë për krimet e supozuara që edhe ata i kanë bërë. “NOT IN MY NAME” ose “JO ME EMRIN TIM”, rrjedh prej gjykimit të fundit që e pamë që përveç dënimit maksimal që na tronditi të gjithëve, shprehja që thoshte që ky gjykim është në emër të popullit ishte ajo që ishte e papranueshme për pothuajse secilin qytetar të Kosovës”.

Nushi sqaroi se gjykata që veprojnë në emër të popullit të një vendi nuk duhet të japin arsyetime të tilla.

“Në fillim të seancës ku gjyqtarja dëshiron ta dënojë komandant Calin ajo fillon me një arsyetim shumë të madh politik se pse kjo gjykatë qenka gjykatë e popullit. Normalisht ato gjykata që veprojnë në emër të popullit nuk japin këso arsyetime. Pikërisht ai arsyetim i asaj gjyqtare na tregon se ajo gjykatë nuk është e atij populli dhe nuk buron nga vullneti i populli”.

Aksioni i PSD-së para zyreve të EULEX-it.

Kurse, ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit të shtunën në protestë kundër Gjykatës Speciale, pas vendimit të saj për dënimin e komandant “Calit”.

Më 16 dhjetor, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Musafës, i është dhënë dënimi prej 26 vjet burgim nga nga Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjykata Speciale shpall Salih Mustafën fajtor – 26 vjet burgim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore