Lajme

Propozimi Evropian prezanton mundësi historike, Stoltenberg para takimit Kurti – Vuçiç


Jens Stoltenbrg

Nga Bulevardi “Leopold III” në Bruksel, në selinë e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, udhëheqësi i saj, Jens Stoltenberg, ka thënë se Propozimi Evropian, që mund të përkthehet në një marrëveshje të nënshkruar me 18 mars në Ohër të Maqedonisë Veriore, paraqet një mundësi historike për Kosovën dhe Serbinë, por jo vetëm.

“Tani keni një mundësi historike që mund të jetë me përfitim për të gjithë rajonin”, ka deklaruar sekretari gjeneral i NATO-s, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Ashtu siç e sheh vetë, beson se po e përjetojnë edhe dy liderët ballkanikë, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç, prandaj politikani norvegjez e ka mirëpritur “qasjen konstruktive”.

Stoltenberg e nënvizon edhe në këtë konferencë se “është e rëndësishme që palët të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të gjejnë zgjidhjen përfundimtare”.

Ai ka deklaruar gjithashtu se vlerëson shumë diskutimet trepalëshe mes ndërmjetësuesve (Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak) dhe Kurtit e Vuçiç, të cilat po zhvillohen në raunde vetëm 3.3 kilometra larg zyrave të NATO-s, në ndërtesën “Le Berlaymont” po në Bruksel.

Sa për sigurinë në Kosovë, tha se është pyetje që i dihet përgjigja, pasi “NATO ka qenë prezente në Kosovë prej shumë kohë” dhe “aleatët kanë garantuar se do të vijojnë qëndrimin”.

Veç aspektit të sigurisë, Stoltenberg i ka dhënë merita NATO-s edhe në procesin dialogues.

“Personat e KFOR-it bëjnë mbështetjen diplomatike të BE-së”, kujtoi shefi i NATO-s.

“NATO do të vazhdojë të lehtësoje dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse mendojmë se kjo është rrugë e vetme drejt zgjidhjes dhe stabilitetit”, tha Stoltenberg.

Konferenca mes Stoltenberg dhe Begajt po ndodhte paralelisht me atë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Berlin.

Edhe Scholz e ka përshëndetur angazhimin dhe përbashkimin e palëve në Propozimin Evropian, derisa është shprehur shumë optimist se plani sjell zgjidhje për palët.

“Tanimë mund të bëhet realitet ajo që dukej e pamundur”, tha krye-gjermani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore