Sport

Pronari i klubit KF Vitia: Jemi duke shqyrtuar mundësinë për tërheqjen nga garat


Klubi i futbollit KF Vitia e ka vënë në dyshim vijimin e garave në Ligën e Parë të Kosovës.

Pronari i klubit të futbollit të Ligës së Parë të Kosovës, KF Vitia, Florent Emini, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë që janë duke shqyrtuar mundësinë për tërheqjen nga garat.

“Jemi duke shqyrtuar mundësinë për t’i bojkotuar ndeshjet që kanë mbetur. Ju kemi shkruar letër Federatës për të përmirësuar kualitetin e referimit, për ndryshe do të tërhiqemi nga garat”, theksoi Florent Emini.

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, në vendimin e fundit, kishte kërkuar nga kryetari i klubit Florent Emini deklaratë shtesë lidhur me incidentin e ndodhur në ndeshjen mes Vitisë dhe Flamurtarit.

Në këtë vendim thuhet se Emini kishte hyrë në lokalet ku ndodheshin gjyqtarët e ndeshjes, pas pushimit të pjesës së parë, duke i kërcënuar ata.

Ai madje kishte tentuar që mos të vazhdohet ndeshja, pasi që sipas tij, ndeshja ishte e kurdisur dhe të gjithë e dinin këtë gjë.

“Gjyqtari ndali shumë faulle në pjesën e parë, deri sa u barazua rezultati. Loja ka qenë e kurdisur dhe krejt Kosova tashmë pe dinë që ‘Flamurtari duhet me hy në Superligë’. Unë vetëm iu thash gjyqtarëve që loja nuk mundet me vazhdua pa ardhur prokurori e me pa kurdisjen” shtoi ai.

Gjithashtu Komisioni Disiplinor e dënoi klubin e Vitisë me 1000 euro gjobë për mos përmbushjen e detyrimeve ndaj lojtarëve, por kryetari Emini e mohoi këtë gjë duke thënë se ka qenë gjithmonë korrekt me pagesat e lojtarëve.

“Të gjithë lojtarët i kemi paguar dhe i posedojmë kontratat. Përveç një lojtar që nuk e kemi paguar 300 euro në kohën sa ishte ndërprerja e garave për shkak të pandemisë. Ai ka shkuar me atë kontratë në FFK, dhe duket se e ka fituar rastin, mirëpo FFK-ja nuk po i merr në konsideratë ankesat nga ne”, përfundoi kryetari i klubit KF Vitia, Florent Emini.

Në fund ai shtoi, se KF Vitia është një ndër klubet më korrekt me pagesat dhe me të gjitha detyrimet sa i përket shtetit, duke thënë madje se janë ndër të parët që kanë marrë ndihmën financiare gjatë kohës së pandemisë për shkak të korrektësisë së tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore