Lajme

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj drejtorit të sekretariatit të KPK-së


Lavdim Krasniqit, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj Lavdim Krasniqit, në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe tre personave të tjerë, A.K., M.B. dhe F.D.

Lavdim Krasniqi dhe A.K., në cilësinë e shoferit akuzohen se për tri vjet kanë kërkuar dhe pranuar të holla e dhurata për vete dhe për tjetrin nga personi B.M, me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin.

Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Të pandehurit L.K., dhe F.D., kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Po ashtu, akuzohen se i kanë mundësuar të dyshuarit A.M. që të arratisej nga territori i Kosovës për në Shqipëri duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet A.K., dhe M.B., kanë kryer edhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndërsa, e pandehura M.B., ka pranuar nga i dëmtuari B.M., një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Prokurori i çështjes ka propozuar që pos që të pandehurit të shpallen fajtorë e të dënohen sipas ligjit, atyre t’u shqiptohet dënimi plotësues për ndalim të ushtrimit të funksioneve dhe të bëhet konfiskimi i veturës.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniq, në mars ishte i  dyshuar se kishte ndikuar në uljen e dënimit të një personi në këmbim të dhuratave me vlerë mijëra euro, për çka edhe kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

Krasniqi po dyshohej se është i implikuar në afera korruptive pasi sipas Prokurorisë, ka ndikuar në gjykatë për uljen e dënimit të të dënuarit me 4 vite e 7 muaj burgim.

Sipas Prokurorisë, i dënuari B.M i kishte dhënë Lavdim Krasniqit para dhe dhurata në vlerë 65 mijë euro për zbutjen dhe mosekzekutimin e dënimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore