Përballje

Prishtina gjen fitoren ndaj Feronikelit, ndajnë pikët Dukagjini e Ulpiana


Prishtina është rikthyer te fitorja në BKT Superligën e Kosovës, teksa ka mposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Feronikelit, me rezultat 2:0.

Prishtina ishte më kërkuese në pjesën e parë, por përkundër rasteve të shumta, ata nuk arritën të shënojnë, ku skuadrat shkuan në pushim me porta të paprekura.

Edhe në pjesën e dytë, kryeqytetasit kërkuan më shumë golin dhe atë e gjetën në minutën e 60-të, me futbollistin Leonit Abazin, i cili shënoi një gol të bukur nga një tentim për harkuar.

Ndërkohë, pak minuta para se të përfundonte ndeshja, Bleart Tolaj shënoi golin e dytë për Prishtinën, për rezultatin përfundimtar 2:0.

Me këtë sukses, Prishtina ngjitet në vendin e pestë në tabelë, me 21 pikë, derisa Feronikeli zhytet edhe më shumë në fund, me 10 pikë të tubuara.

Ndeshja tjetër e së martës, që u zhvillua mes Dukagjinit dhe Ulpianës, përfundoi në barazim, me rezultat 1:1.

Njejtë sikurse në ndeshjen tjetër, edhe në këtë takim pjesa e parë nuk dhuroi gola, pavarësisht se dyja skuadrat kishin mjaft raste për të shënuar.

Me të flluar pjesa e dytë, Upliana befasoi vendasit, duke kaluar në epërsi në minutën e 55-të, me golin e shënuar nga Ermir Rezi.

Por Dukagjini u hodhën në sulm, duke kërkuar golin e barazimit, të cilin e gjetën në minutën e 81-të, me anë të futbollistit të tyre Altin Merlaku, për rezultatin përfundimtar 1:1.

Me këtë barazim, Dukagjini mbetet përsëri në vendin e tetë, me 16 pikë të tubuara, derisa Ulpiana gjendet një pozitë më lartë, me një pikë më shumë.

Xhiroja e 15-të e Superligës së Kosovës në futboll, do të mbyllet të mërkurën, ku spikat derbi i Anamoravës, që do të zhvillohet mes Gjilanit dhe Dritës.

Ndërsa dy takimet e tjera janë: Ballkani – Malisheva dhe Drenica – Llapi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore