Lajme

Prishja që nuk u sanua – arsyeja që mbetën pa ngrohje qytetarët e Prishtinës


KEK-u dhe raporti 24-oresh

Qytetarët e Prishtinës mbetën pa ngrohje të mërkurën 15 dhjetorit dhe ka të ngjarë që gjithçka erdhi si pasojë e një prishje e cila nuk ishte sanuar, përkundër se ishte identifikuar nga menaxhmeti i Korporatës Energjetike të Kosovës.

Prishja vinte për shkak të rrjedhjes së ujit në gypa.

Në një raport 24-orësh të datës 18 tetor të cilin e ka siguruar Albanian Post, punëtorët e ndërrimit të paradites kishin lajmuar se ka prishje dhe rrjedhje të ujit, por puna s’ishte ndalur.

“Humbjet e ujit gjatë ndërrimit të dytë kanë qenë 0.37m”, thuhet në raport.

Raporti 24-oresh, identifikimi i prishjes

Një burim brenda KEK-ut që ka dashur të mbetet anonim tha për AP se në momentin kur ka rrjedhje duhet të ndalet puna sa më shpejt në mënyrë që të evitohet, ndryshe dëmët bëhen shumë më të mëdha.

“Sa më shumë që rrjedhë ka defekt më shumë, e këta nuk e kanë dalë hiç”, ka thënë burimi.

Gjithashtu, burimi i AP ka treguar se normalisht duhet të bëhet një kontroll gjeneral para dimrit, ndryshe më pas hasen probleme të shumta.

“Blloqet riparohet para sezonit të dimrit, pasi ato dimrit është e pa mundur me i ndalë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Drejtori Operativ i KEK-ut, Luigj Ymeri, përmes telefonit e ka mohuar një gjë të tillë.

Ymeri ka thënë se dëmi është sanuar kohë më parë dhe se defekti i tanishëm ka ardhur si pasojë e një prishjeje tjetër.

“Ajo është sanuar, ajo ka qenë më herët. S’kemi çka me fsheh”, ka deklaruar ai.

“Nuk bëhet riparimi 20 dite përpara, Nuk ka ndryshuar kurrgjë, ne gjithë kemi pas telashe është një rrjedhje e zakonshme, veç pse ka rastis në një kohë jo fort të favorshme për ne. Ka ndodh më herët, do ndodh edhe në të ardhmen, veç s’e dimë kur”, theksoi Ymeri.

AP për këtë çështje ka provuar të flasë edhe me Kryesuesin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, me gjithë insistimin e AP, Krasniqi nuk është lajmëruar në telefon.

Sic dihet, me 4 nëntor, ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, ishte zgjedhur Kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ai në krye të ndërmarrjes më të madhe publike u zgjedh nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut nëpërmjet një konkursi në të cilin patën konkurruar 38 kandidatë.

“Nagip Krasniqi ka marrë vlerësimin më të lartë si nga Bordi ashtu edhe nga Partneri zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike”, thuhej në njoftimin e zyrës për media të KEK-ut.

“Bordi i përkohshëm si përfaqësues i Qeverisë, ka udhëhequr një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese ne pajtim me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike”.

Sipas këtij njoftimi “ky proces është mbështetur nga Partneri i jashtëm zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese”, thuhet në njoftimin e KEK-ut”.

Por, sipas ligjit për Ndërmarrje Publike, Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, potencohet në opinionin ligjor”, thuhet në ligjin në fjalë.

Ndërkaq këtë të enjte në ora 8:10 është rikthyer ngrohja për qytetarët e Prishtinës nga Termokosi pasi ka filluar të furnizohet me avull nga KEK-u.

“Në KEK aktualisht janë në punë të tri njësitë aktive të Kosovës A (A3,A4 dhe A5) dhe njësia B1 në Kosovën B me kapacitet të prodhimit prej rreth 650 MË/h. energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

“Duke falënderuar punëtorët për angazhimin e vazhdueshëm si dhe palët e përfshira për mirëkuptim dhe bashkëpunim, KEK vazhdon me përpjekjet maksimale për prodhim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe termike në kushtet aktuale të krizës sezonale dhe globale energjetike”.

Ndërmarrja Publike “Termokos” përmes një postimi në Facebook ka njoftuar të mërkurën se është ndalur ngrohja për të gjithë konsumatorët për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u.

Ndryshe Kosova ditëve të fundit po përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Të mërkurën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të bëjnë krejt çka dinë e munden për t’u dalë zot qytetarëve për furnizim sa më të qëndrueshëm e çmime sa më të përballueshme.

“Ne e dimë që e kemi popullsinë e varfër. E kuptojmë që është situatë e rëndë, por nuk e kemi ndërmend që të kursejmë për qytetarët. Kur kam qenë në opozitë, asnjëherë s’kam kundërshtuar akse që ka bërë ftesë për kursim të energjisë elektrike”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore