Shqipëria

Presidenti publikon padinë ndaj Kuvendit – të dorëzuar në SPAK


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, pasditen e 9 shkurtit ka bërë me dije se ka dorëzuar zyrtarisht kallëzimin penal ndaj Kuvendit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe atë të Tiranës.

Meta ka akuzuar funksionarët e Kuvendit se, gjatë seancës së shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, ata kanë “falsifikuar dokumentet”.

Bëhet fjalë për dokumentet e sjella nga përfaqësuesit e mazhorancës në Kuvend.

“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant. Ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë – në një proces që ndodh për herë të parë kundër Presidentit të Republikës”, deklaroi më herët ai, gjatë një konference.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj, dha detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”, të kryera nga Kuvendi ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.

“Një prej shkeljeve të konstatuara nga ana jonë ishte fakti, që në datën 7 maj në vitin 2021, kur u miratua ngritja e Komisionit Hetimor, Kuvendi kishte bërë tre shkelje”, tha ai.

Sipas Dervishajt, rendi i ditës ishte caktuar nga ish-kryetari i Kuvendit në datën 6 maj për në datën 7 maj, pra nëse “do t’u kthehemi ngjarjeve, Kuvendi po thërritej në seancë plenare për një afat më pak se 24 orë.

Ai ka theksuar se, në rendin e ditës, nuk kishte dy çështje, por kishte një.

“Shkelja e tretë që kemi pretenduar kishte të bënte me faktin se, referuar rregullores së Kuvendit, nuk kishte kërkesë për shtesa në rendin e ditës”.

Dervishaj dhe presidenti Meta deklaruan se do t’i drejtohen Prokurorisë “për manipulimin e shkresave nga ana e Kuvendit”.

Më 7 shkurt, Gjykata Kushtetuese mbajti seancën e tretë për shkarkimin e presidentit.

Të dyja palët si ajo e Kuvendit përfaqësuar nga deputetja e Partisë Socialiste (PS), Klotilda Bushka dhe përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, bënë edhe diskutimet përfundimtare.

Gjykata u tërhoq dhe njoftoi se brenda 30 ditëve do të komunikonte vendimin zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore