Përballje

Premier Leauge/ Arsenal-i mposht Wolves-in


Arsenal-i e ka mposhtur Wolverhampton-in me rezultat 2:1, në ndeshjen e vlefshme të xhiros së 20-të në Premier Ligën angleze, e cila ishte shtyrë për shkak të infektimeve me COVID-19.

Mysafirët kaluan të parët në epërsi që në minutën e 10-të, kur Hee-Chan Hwang shfrytëzoi për mrekulli një gabim katastrofal të mbrojtës së Arsenal-it.

Në vazhdim të ndeshjes, londinezët tentuan shumë për të barazuar rezultatin, por pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të Wolves-it.

Edhe pjesa e dytë, ngjashëm si ajo e para ishte e dominuar nga Arsenal-i, të cilët arritën të barazojnë shifrat në minutën e 82-të me golin e realizuar nga Nicolas Pepe, i cili erdhi nga stoli në pjesën e dytë.

Kur pritej që dyja ekipet t’i ndajnë pikët, në skenë doli Alexandre Lacazette, i cili i dha epërsinë ekipit të tij në minutën e fundit të kohës shtesë, për t’i arkëtuar tri pikë shumë të rëndësishme për ‘topçinjtë’.

Me këtë fitore, skuadra e Mikel Arteta-s tani ngjitet në vendin e pestë në tabelë me 45 pikë, një më pak se vendi i katërt, Manchester United, por Arsenal-i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Ndërsa skuadra e Wolves mbetet në pozitën e shtatë, të cilët kanë grumbulluar 40 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore