Përballje

Premier League, luhet java e 26-të


Luhet sot java e 26-të e ligës angleze, që çdo ditë e më shumë po i afrohet fundit edhe të një sezoni tjetër.

E shtuna do të jetë një ditë miks i ndeshjeve, mes skuadrave në top 4-she, skuadrave në luftë për Europa League, skuadrave në mes të tabelës dhe atyre në luftë për mbijetesë.

Dita fillon në “Etihad”, në orën 13:30, me kryesuesit e Manchester City-t, që presin befasinë e West Ham.

Në këtë përballje City synon fitoren numër 20 me radhë, kurse West Ham tenton që të forcojë pozitat në vendin e katërt, që e dërgon në Champions.

Te City, mungesë e vetme është Nathan Ake, kurse për çekanët mungojnë Masuaku, Ogbonna dhe Yarmolenko.

Ndeshja tjetër zhvillohet mes West Brom të vendit të parafundit dhe Brighton të vendit të 16-të.

Mysafirët do tentojnë të fundosin përfundimisht skuadrën e West Brom, e cila edhe sot ndodhet me një këmbë jashtë Premier League, me vetëm 14 pikë pas 25 ndeshjeve.

Ndeshja e “prime time”, ose e orës 18:30, është dueli më interesant i ditës, mes Leeds-it dhe Aston Villa-s, ekipe që kanë treguar formë të mrekullueshme këtë sezon.

Një fitore do ta ngjiste Leeds-in mbi Aston Villa-n, kurse në anën tjetër, një fitore do ta afronte Aston Villa-n në vetëm një pikë me Liverpool-in, kur kanë edhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar në krahasim me të kuqtë.

Dita mbyllet në orën 21:00, me duelin Newcastle-Wolves.

Newcastle është seriozisht e rrezikuar, kur gjendet vetëm tri pikë mbi Fulham-in e zonës së ftohtë.

Ndërkaq Wolves gjendet në vendin e 12-të, jo e rrezikuar për mbijetesë, por edhe pa shanse për Evropën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore