Lajme

Politologu serb nga Veriu: Lajçak s’është më aktor kyç në dialog – s’i ka gjërat në dorë


Politologu serb nga veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç

Politologu serb nga Kosova, Ognjen Gogiç, ka thënë për Euronews Serbia se situata në Veri është në “ngërç”, derisa ka pretenduar se emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është më “aktor kyç”.

“I njëjti objektiv, e njëjta distancë. Policia speciale është rreth atyre ndërtesave komunale, serbët janë mbledhur përpara dhe po protestojnë dhe KFOR-i është në mes tyre”, tha ai.

Por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se ka shenja se mund të ketë qetësim dhe tërheqje të policisë, duke shtuar se po shfaqet “pafuqia e madhe e ndërmjetësuesve të BE-së”.

“Lajçak ka pasur bisedime në SHBA dhe Bruksel dhe unë mendoj se ai po kërkon ndihmë, se kjo është diçka përtej fuqisë të tij. Ai nuk është një aktor kyç që i ka gjërat në dorë”, theksoi Gogiç.

Ndryshe, dy ditë më parë, Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një prononcim para gazetarëve të pranishëm në oborrin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se është arritur njëfarë pajtueshmërie për planin tre-pikësht të BE-së për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Lajçak: Kemi mirëkuptim për planin e BE-së për de-eskalim – gati janë sanksionet edhe ndaj Serbisë

“Kjo nuk është një punë e as një situatë e lehtë. Kam pasur takim të rendesishëm, të sinqertë dhe të hapur. Ka një mirëkuptim për nevojën për të vazhduar me planin tre-pikësh të BE-së: de-eskalim, zgjedhje të reja dhe kthim në normalizim. Ne duhet të vazhdojmë diskutimin tonë për hapat konkretë”, ka thënë emisari Lajçak.

“Ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapat konkretë. Ai [kryeministri Albin Kurti] ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë pikëpamjet e mia. Takim i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit sa më mirë, por jemi pajtuar të vazhdojmë përpara”, ka shtuar ndër të tjera diplomati sllovak.

Emisari Lajçak, i cili erdhi në Prishtinë pas kërkesës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se bashkësia e organizuar ndërkombëtare i ka bërë gati “masat ndëshkuese” edhe ndaj Serbisë nëse ajo nuk lëvizë drejt qetësimit të situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë.

“BE-ja e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë. Ato do të zbatohen nëse Serbia nuk vepron në përputhje me kërkesat e BE-së. Dëshira ime është të mos kemi sanksione ndaj Kosovës e Serbisë”, ka thënë diplomati sllovak, ndërsa ka shtuar se pret që palët sa më shpejt t’i kthehen rrugës së dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore