Lajme

Policia pezullon një pjesëtar të njësisë speciale NjRSh


Policia e Kosovës ka pezulluar një polic të Njësisë së Reagimit të Shpejt, i cili dyshohet për fotografim apo incizim të paautorizuar.

Pezullimi është bërë pas rekomandimit të Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Siç thuhet në njoftimin e IPK-së, hetuesit e këtij institucioni “kanë pranuar informacione sot lidhur me dyshimin se një zyrtar policor (i Njësisë së Reagimit të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Policore – Mitrovicë e Jugut) është i dyshuar për fotografim apo incizim i paautorizuar”.

“Hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse si pjesë e procedurave administrative, krahas hetimit që po zhvillohet zyrtari policor është suspenduar”.

Ndërkaq, në njoftim theksohet se hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore “drejt ndriçimit të plotë të këtij rasti në konsultim me prokurorin kompetent dhe në përputhje me autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor”.

Për këtë rast ka reaguar edhe Policia e Kosovës, të cilët bënë me dije se i dyshuari ka shpërndarë një video të një të arrestuarit.

Në njoftimin e tyre thanë se Policia e Kosovës është institucion “që ka krijuar me kohë mekanizma të brendshme për të ruajtur dhe rritur integritetin e brendshëm, për të rritur disiplinën dhe për të ofruar shërbime sa më profesionale për qytetarët”.

“Në disa raste të veçuara nga zyrtarë policorë, mund të bëhen shkelje të parimeve dhe procedurave policore duke bërë që të ketë shkelje disiplinore. Mekanizmi i brendshëm i Policisë së Kosovës çdo herë kur ka dyshime se janë kryer shkelje të tilla, fillojnë procedurat hetimore dhe procedurat e vendimet disiplinore”.

“Në një rast të fundit, ku është shpërndarë një video e një të dyshuari të arrestuar, nën dyshimin se ka shkelje disiplinore në këtë rast nga një zyrtar policor, duke u bazuar në udhëzimin përkatës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, ka filluar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari policor, i cili me vendim të drejtorit rajonal është suspenduar”.

Ndërkaq, aty thuhet se ky rast do të trajtohet bazuar në procedurat policore dhe po ashtu “është proceduar për hetim dhe kompetencë të mëtejme në IPK”.

“Policia me këtë rast zotohet se do të vazhdojë të jetë në krye të realizimit të detyrave në ruajtje të rendit e qetësisë publike, ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, vënien para drejtësisë të të gjithë të dyshuarve dhe këto do t’i arrijë me profesionalizëm dhe integritet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore