Lajme

Peshkopi serb Duriç – Cramonit: Ndikoni në Prishtinë për Manastirin e Deçanit


Peshkopi ortodoks serb i Dyseldorfit dhe i tërë Gjermanisë, Grigorije Duriç, ka bërë të ditur se ka pritur Viola Von Cramonin, deputete e Parlamentit Evropian, të cilës i ka kërkuar që të bëjë përpjekje me kolegët eurodeputetë për siç thuhet për t`iu mundësuar autoriteteve në Prishtinë që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016, i cili do t`ia kthente Manastirit të Deçanit pothuajse 24 hektarë tokë, raporton N1.

Sipas një deklarate për media, peshkopi Grigorije e informoi eurodeputeten për funksionimin e Dioqezës së Dyseldorfit dhe Gjermanisë dhe komuniteteve të shumta të saj, sfidat në arritjen e një pozicioni më të mirë juridik të Dioqezës dhe angazhimin në dialogun ndërfetar brenda shoqërisë gjermane.

Ndërkaq Cramon përmes një cicërime në Twitter, ka bërë të ditur se me Duriçin ka folur mbi sfidat e përbashkëta dhe dialogun ndërfetar në Ballkanin Perëndimor

“Diskutim konstruktiv dhe i hapur me Gregorin, peshkopin e Kishës Ortodokse Serbe, Dioqezën e Dyseldorfit dhe të gjithë Gjermanisë, mbi sfidat e përbashkëta dhe dialogun ndërfetar në Ballkanin Perëndimor dhe Gjermani”, shkroi Cramon në Twitter.

Viola Von Cramonin

Më 30 nëntor, Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Anglisë, Francës dhe Italisë në Kosovë, përmes një komunikate të përbashkët kanë thënë se vazhdojnë të janë të shqetësuar për faktin se institucionet kosovare ende nuk e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Sipas shteteve të QUINT-it moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e Qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur.

“Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik. Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, thuhet në komunikatë. 

Manastiri i Deçanit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vite më parë kishte marrë vendim që manastirit të Deçanit t’i njohë pronësinë e 24 hektarëve tokë.

Mirëpo, ky vendim ka hasur në kundërshti me komunën e Deçanit si dhe ka ngjallur protesta të shumta qytetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore