Lajme

Përzierja e vaksinave Covid ofron mbrojtje më të mirë


Një studim në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se përzierja e vaksinave Covid, duke përdorur marka të ndryshme për dozat e para dhe të dyta, jep mbrojtje të mirë kundër virusit.

Në provën e Com-Cov u shqyrtua efikasiteti i dy dozave të vaksinës Pfizer, dy të AstraZeneca-s dhe të njërës prej tyre të ndjekur nga tjetra.

Prova e kryer tregoi se të gjitha kombinimet funksionuan mirë, duke përgatitur sistemin imunitar. Dhe sipas ekspertëve, kjo njohuri mund të ofrojë fleksibilitet për përdorimin e vaksinave.

Gjithashtu rezultatet e nxjerra lënë të kuptohet se njerëzit që tanimë kanë marrë dy doza të vaksinës AstraZeneca mund të kenë një përgjigje më të fortë imunitare nëse u jepet një dozë ndryshe si përforcues. Kjo nëse rekomandohet në vjeshtë.

Profesor Jonathan Van-Tam, zëvendësshefi mjekësor i Mbretërisë së Bashkuar, është shprehur se nuk kishte asnjë arsye për të ndryshuar mënyrën aktuale të suksesshme të dhënies së vaksinave në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, nuk e përjashton idenë se mund të jetë diçka për të parë në të ardhmen.

“Përzierja e dozave mund të na sigurojë një fleksibilitet edhe më të madh për një program përforcues, teksa gjithashtu mbështet vendet që duhet të vazhdojnë më tej me përdorimin e vaksinave, të cilët mund të jenë duke përjetuar vështirësi në furnizim”, ka sqaruar ai.

BBC tregon se aktualisht disa vende po përdorin doza të përziera. Spanja dhe Gjermania po ofrojnë vaksinat Pfizer ose Moderna mRNA si një dozë e dytë për të rinjtë që kanë marrë një dozë të parë të vaksinës AstraZeneca, pas shqetësimeve në lidhje me mpiksjet e rralla, por serioze të gjakut.

Marrja e dy dozave është e rëndësishme për të dhënë mbrojtjen më të plotë dhe për të mësuar trupin të gjenerojë antitrupa dhe qeliza T për të bllokuar dhe vrarë Covid-in.

Lidhur me studimin e kryer nga Com-Cov, ai shqyrtoi dhënien e dozave katër javë larg njëra-tjetrës në 850 vullnetarë të moshës 50 vjeç e sipër.

Në rezultatet e tij doli se AstraZeneca e ndjekur nga Pfizer-i, induktoi antitrupa dhe përgjigje më të larta të qelizave T në krahasim me Pfizer-in të ndjekur nga AstraZeneca.

Një tjetër konkluzion ishte se të dyja këto përzierje nxisin më shumë antitrupa se dy doza të AstraZeneca-s.

Gjithashtu përgjigja më e lartë e antitrupave është vërejtur pas dy dozave të Pfizer-it, ndërsa përgjigja më e lartë e qelizave T nga AstraZeneca e ndjekur nga Pfizer-i.

Profesor Matthew Snape, hetuesi kryesor nga Universiteti i Oxford-it, ka treguar se gjetjet nuk minojnë politikën e Mbretërisë së Bashkuar për t’i dhënë njerëzve të njëjtën dozë dy herë.

“Ne tanimë e dimë që të dy programet standarde janë shumë efektive kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimeve në spital, përfshirë edhe kundër variantit Delta kur jepet me tetë deri në 12 javë me shkëputje”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka shtuar se rezultatet e reja treguan se mënyrat e dozave të përziera ishin efektive, edhe pse intervali i studiuar prej katër javësh ishte më i shkurtër se afati tetë deri në 12 javë që përdoret më shpesh në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ky interval më i gjatë dihet se rezulton në një përgjigje më të mirë imune”, ka theksuar.

BBC tregon se muajin tjetër do të jenë në dispozicion edhe rezultatet e provës me dozë të përzier për një interval 12-javor.

Doza përforcuese e vjeshtës

Një tjetër studim, sugjeron se një dozë e tretë të vaksinës AstraZeneca, e dhënë më shumë se gjashtë muaj pas të dytës, rrit sistemin imunitar.

Mirëpo, ekspertët janë të mendimit se është shumë herët të dihet nëse njerëzit do të kenë nevojë për një dozë përforcuese këtë vit përpara dimrit. Kjo pasi është ende e paqartë se sa imunitet mund të zbehet me kalimin e kohës.

Profesor Paul Hunter nga Universiteti i Anglisë Lindore ka thënë se “për momentin, pyetja e madhe është nëse do të na ofrohen apo jo vaksina përforcuese në vjeshtë. Me provat në dispozicion nga kjo dhe burime të tjera, unë dyshoj se do të jetë e mundshme për ata më të rrezikuarit nga virusi, ose për shkak të moshës ose të qenit klinikisht i prekshëm”.

Profesori ka sugjeruar se njerëzve që kanë pasur një dozë të parë të AstraZeneca-s mund t’u ofrohet vaksina Pfizer si një përforcues. Kjo më shumë sesa një AstraZeneca e përsëritur.

Ndërsa për njerëzit që kishin një dozë të parë Pfizer mund të mos kenë nevojë për një përforcues vjeshte, ka sugjeruar ai bazuar në provat e Cov-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore