Përballje

Përveç tifozëve, Hungaria humbet edhe dy titullarë në ndeshjen ndaj Shqipërisë


Përzgjedhësi i kombëtares së Hungarisë, Marco Rossi, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e muajit tetor, në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës, “Katar 2022”.

Hungaria fillimisht do të ballafaqohet më Shqipërinë më 9 tetor, pastaj tri ditë më vonë do të përballet në udhëtim me Anglinë.

Për këto dy ndeshje shumë të rëndësishme për hungarezët, trajneri italian nuk do të mund të llogarisë në kapitenin Adam Szalai-n dhe mesfushorin Kevin Varga-n.

Kapiteni Szalai, i cili nuk mundi të japë kontributin e tij as në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena” për shkak të infektimit me COVID-19, tani do të mungojë edhe në sfidën në Budapest, sepse pak ditë më parë iu nënshtrua një operacioni në gju.

Ndërsa, mesfushori i skuadrës turke Kasimpasa, Kevin Varga, mungon në këtë grumbullim për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.

Ndërkohë janë rikthyer në kombëtare Nego Loic dhe Holender Filip, të cilët munguan për shkak të coronavirusit në shtator, por edhe mbrojtësi i majtë Zsolt Nagy, i cili mungonte në përfaqësuese që prej vitit 2019.

Përveç mungesës së dy futbollistëve mjaftë cilësor, Hungaria nuk do të mund të llogarisë as në përkrahjen e tifozëve në stadiumin “Puskas Arena”, pasi që UEFA i ka dënuar ata për sjelle raciste në ndeshjen ndaj Anglisë.

Pra, edhe ky është një lajm i mirë për kuqezinjtë, duke pasur parasysh se çfarë atmosfere elektrizuese krijojnë hungarezët në stadium.

Kujtojmë që Shqipëria pozicionohet në vendin e dytë të Grupit I, me 12 pikë të grumbulluara, katër më pak se Anglia e vendit të parë, ndërsa pas saj pozicionohen Polonia me 11 dhe Hungaria me 10 pikë.

Tri ditë pas ndeshjes me Hungarinë, Shqipëria do të pret në stadiumin “Air Albania” Poloninë.

Ndërsa në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të muajit nëntor, kuqezinjtë do të ballafaqohen me Anglinë në udhëtim dhe me Andorrën në shtëpi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore