Lajme

Përveç rrymës, nga e hëna Prishtina edhe me reduktime të ujit


Ilustrim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se gjatë ditës së hënë të 27 dhjetorit,  disa lagje të Prishtinës do të përballen me reduktime të furnizimit me ujë.

Sipas KRU “Prishtina”, këto reduktime do të vijnë si pasojë e amortizimit të linjave.

“Punimet do të zhvillohen në linjën DN 300 mm material AC, në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë”, shkruan në njoftimin e KRU “Prishtina”.

“Pa furnizim me ujë të pijshëm, gjatë ditës do mbesin këto zona: lagjja Pejton, lagjja Dardania pjesërisht, një pjesë ne lagjen “te Qafa”, pjesë e objekteve banesore poshtë rrugës “Ahmet Krasniqi” në lagjen “Arbëri” një pjesë e lagjes Lakrishte dhe një pjesë e vogël lagjes Kalabria në rr. “Tahir Zajmi”, në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Ilustrim

Reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë janë rikthyer pas 10 vitesh.

Përmes një komunikate për medie, KEDS ka njoftuar se reduktimet vijnë si pasojë e krizës elektroenergjetike botërore që ka prekur edhe Kosovën.

Mungesa e rrymës për 2 orë brenda 24 orëve të ardhshme do të prekë të gjithë konsumatorët. Por në fakt nuk ndodhë kështu. Ndërprerja e energjisë elektrike në Kosovë zgjatë më shumë se dy orë dhe më shpesh se 1 herë brenda 24 orëve. Rrjedhimisht bizneset dhe qytetarët janë detyruar të rikthejnë gjeneratorët.

Ndryshe Qeveria e Kosovës pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë që u mbajte të premten e 24 dhjetorit kishte njoftuar se ka vendosur masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilët do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë, vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Në vendim më tutje thuhet se Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast qeveria është e obliguar t’i ndërpres ato.

Në arsyetim e Qeverisë së Kosovës thuhet se Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Për të shikuar prishjet në bllokun “B2”në “Kosova B”, Qeveria e Kosovës ka angazhuar një ekspert gjerman i cili thuhet se ka arritur në Kosovë të shtunën e 25 dhjetorit.

Klan Kosova merr vesh nga burime të sigurta brenda KEK-ut se eksperti në fjalë është vetëm monitorues, ndërkohë e gjithë puna do të kryhet nga ekspertët e KEK-ut dhe gjatë ditëve në vijim pritet të saktësohet data e sanimit dhe e rikthimit në punë të njësisë prodhuese “B2”.

Ndërsa, sa i përket situatës me energjinë, kryeministri i vendit Albin Kurti, këtë të diel tha se e kupton frustrimin e qytetarëve, por që sipas tij, këto janë shkak i qeverive të kaluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore