Sport

Përballja me Atalanta-n, Allegri: Nuk është ndeshje vendimtare


Pas humbjes “turpëruse” në shifrat 4-0 përballë Chelsea-t vendas në Champions League, Juventus-i do të përballet me Atalanta-n në Serie A. Në konferencën përpara ndeshjes, ka folur trajneri i bardhezinjëve, Massimiliano Allegri.

Allegri ka theksuar se përballja me Atalanta-n “nuk është ndeshje vendimtare”, duke shtuar se “ndeshjet më të rëndësishme janë gjashtë të fundit të raundit të parë”.

“Nesër (të shtunën) do të zhvillohet një ndeshje mes dy skuadrave që luftojnë pikërisht për vendin e katërt. Duhet të përgëzojmë Atalanta-n për punën që ka bërë ndër vite”, tha Allegri.

“Atalanta po bën mirë edhe në Chmapions League, ku shpresojmë që të gjithë italianet të kualifikohen”.

“Të luash kundër tyre është gjithmonë e komplikuar, ata janë një ekip fizik dhe do të kemi nevojë për vëmendje”, shtoi livornezi.

Tekniku nuk la pa përmendur edhe sfidën e humbur përballë Chelsea-t në Londër. Sipas tij “loja deri në minutën e 55 ishte e balancuar”, por më pas ndodhi ajo që dihet tashmë.

“Në Londër humbëm një ndeshje dhe na vjen keq, sepse ne jemi Juventus-i dhe të humbasim kështu nuk është mirë”, theksoi Max.

“Loja deri në minutën e 55-të ishte e balancuar dhe patëm një pjesë të parë të mirë, pastaj pas golit të dytë u shpërndamë dhe kjo nuk duhet të ndodhë”.

“Paradoksalisht ne dolëm më mirë në pjesën e parë në Londër sesa në Torino”, vijoi tekniku 54-vjeçar.

Juventus-i do të presë Atalanta-n në “Allianz Stadium” të shtunën e 27 nëntorit, duke filluar nga ora 18:00. Ndeshja do të luhet për javën e 14 në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore