Përballje

Penalltitë vendimtare për kreun, Arsenal përgjigjet pas humbjeve


Ndeshjet e së shtunës në Premier League ishin befasuese dhe dramatike.

Ndeshja mes Chelsea-t dhe Leeds përfundoi me fitoren e londinezëve me rezultat 3:2.

Ndeshja ishte e baraspeshuar, ku fituesi nuk dihej deri në momentet e fundit të ndeshjes.

Golin e parë e shënuan Leeds nga pika e penalltisë, me anë të brazilianit Raphinha, i cili po kalon një sezon të paharrueshëm.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, rezultatin e barazoi Mason Mount në minutën e 42-të.

Në pjesën e dytë, në minutën e 58-të, Chelsea morën epërsinë me Jorginho-n i cili shënoi nga pika e penalltisë.

Në minutën e 83-të, Joe Gelhardt shënoi për të barazuar rezultatin në 2:2.

Por, kur u mendua se përfundoi gjithçka, Jorginho shënoi përsëri nga penalltia në minutën e 94-të për t’i dhënë fitoren Chelsea-t.

Në anën tjetër Liverpool ka fituar me rezultat 1:0 përballë Aston Villa-s, skuadër e cila po menaxhohet nga legjenda e “The Reds”, Steven Gerrard.

Dueli ishte i dominuar nga Liverpool, por ata e kishin shumë të vështirë të gjenin golin.

Aston Villa u mbajtën pa pranuar gol deri në minutën e 67-të, ku Salah shënoi nga pika e penalltisë.

Kjo fitore i radhit Liverpool-in në pozitën e dytë, me një pikë më pak se Manchester City.

Arsenal kthehen me fitore pas dy humbjeve radhazi, ku kanë mposhtur Southampton-in me rezultat 3:0.

Topçinjtë e filluan mirë ndeshjen duke shënuar në minutën e 21-të me francezin Alexandre Lacazette.

Goli i dytë i Arsenal erdhi gjashtë minuta pas golit të parë, i cili u shënua nga norvegjezi Martin Odegaard.

Në pjesën e dytë, Arsenal ishin përsëri dominant ku arritën të shënojnë edhe një gol.

Në minutën e 62-të erdhi edhe goli i fundit i ndeshjes, i cili u shënua nga Gabriel për rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore