Shqipëria

Pedagogët kërkojnë të vaksinohen


Sindikata e Punonjësve në Universitete, përmes një kërkese me shkrim, i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të ketë përparësi edhe stafi akademik në planin kombëtar të vaksinimit kundër Covid-19.

Kreu i kësaj sindikate, Sandër Kovaçi, ka sqaruar se një masë e tillë është mundësi për rikthimin në auditore.

“Ne këmbëngulim që të vaksinohemi në mënyrë që të japim mësimin në auditor për ta mbyllur këtë vit online. Këtu mësimi online bëhet në mënyrë rrethanore, pedagogët improvizojnë çdo mënyrë për ta realizuar këtë”, ka thënë Kovaçi.

Sipas tij mësimi online po penalizon studentët, veçanërisht studentët e degëve të lëndëve praktike.

Nëse mbyllim edhe semestrin e dytë online i bie që 50% e bachelorit të bëhet online dhe 70% e masterit shkencor po ashtu i bie të mbyllet online”, ka deklaruar ai.

Në institucionet e arsimit të lartë publik janë të angazhuar rreth 5 mijë pedagogë, pjesa më e madhe e tyre mbi 45 vjeç.

Bëjmë me dije se në Shqipëri ka nisur procesi i vaksinimit në datën 11 janar, në ambientet e stadiumit “Air Albania”. Grupet e para që po vaksinohen janë mjekët dhe infermierët. Pas tyre do të nisë vaksinimi për mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore