Lajme

Peci: Ministrinë e gjeta me 40 milionë euro borxhe ndaj fermerëve


Faton Peci, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë një konference për media ka thënë se dikasterin, të cilën e drejton, e ka gjetur me 40 milionë borxhe ndaj fermerëve.

Por, sipas tij, përkundër kësaj, Ministria të cilën ai e drejton ka krijuar kushtet e duhura për shpalljen e programit në lidhje me subvencionimin e fermerëve për vitin 2021.

“Ministria e Bujqësisë është përballë me një numër sfidash. Ministrinë e kam gjetur me 40 milionë euro borxhe”, ka thënë Peci.

“Për pagesa direkte për vitin 2021 kemi në dispozicion shumën prej 21 milionë euro, ndërsa në total për këtë vit janë paraparë mbi 50 milionë euro. I ftoj të gjithë fermerët që të aplikojnë që nga dita e mërkurë”, ka shtuar ai.

Peci ka treguar edhe për risitë e këtij programi, duke shtuar se Ministria ka themeluar taskforcën e tokës bujqësore për të parandaluar keqpërdorimet.

“Do të shpërndajmë mjete aq sa kemi mundësi për fermerët. Sipërfaqet e vreshtave me mbi 100 hektarë nuk do të subvencionohen njëjtë sikur ata që kanë më pak. Ky vendim nuk i dëmton vreshtarët, sepse me mbi 100 hektarë janë vetëm dy apo tre”, deklaroi Peci.

Peci, gjatë konferencës për media, ka konfirmuar se gjatë këtij muaji do të realizojë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai shpreson se do të jetë frytdhënëse.

“Gjatë këtij muaji do të realizojë një vizitë në SHBA, në Iowa, ku pritet që të kemi memorandum bashkëpunimi i cili do jetë i rëndësishëm për sektorin e bujqësisë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore