Lajme

Pas Kosovës dhe Shqipërisë, senatorët amerikanë të mërkurën vizitojnë Malin e Zi


Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, do të qëndrojnë për vizitë zyrtare të mërkurën në Mal të Zi.

Kjo vizitë e senatorëve amerikanë në shtetin malazez vjen në kuadër të një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Ata do të takohen në Podgoricë me presidentin e sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i cili u betua për postin e të parit të shtetit të shtunën.

Senatori Murphy deklaroi se qëllimi i vizitës së tyre në Ballkanin Perëndimor është të diskutojnë se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të promovojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon.

Vizita në Mal të Zi vjen pas asaj në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, senatorët amerikan janë takuar me udhëheqësit institucional të Kosovës, si dhe me liderët e partive opozitare.

Senatori amerikan nga radhët e Demokratëve, Chris Murphy, në një deklaratë për media, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Serbia që të ndaloj fushatën e saj kundër Kosovës që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Po ashtu, ai u shpreh optimist se marrëveshja e Ohrit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë do t’i zgjidh problemet mes palëve.

“Jemi shumë të lumtur që po e shohim marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen e ndërsjellët të dokumenteve zyrtare. Por, edhe hapave të vështirë që duhet të ndërmerren nga të dyja palët, Serbia duhet të ndaloj të pengoj Kosovën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”.

Për Murphy-n, kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë.

Ai qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë edhe vitin e kaluar, më 21 prill.

Atë kohë, në një konferencë për medie, ai kishte thënë se “koha që Kosova të anëtarësohet në NATO, është tani”, pasi që sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po investojnë kaq shumë për sigurinë e Evropës, Ballkanit e në veçanti të Kosovës, pasi që sipas tij në Ballkan askush tjetër nuk ishte më shumë përkrahës ndaj sanksioneve të Rusisë, sesa Kosova.

Murphy është anëtar i Komitetit të Politikës së Jashtme të Senatit të SHBA-së dhe Peters është anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore