Lajme

Papa Françesku thotë se i vjen shumë keq për të mbijetuarit e shkollave rezidenciale kanadeze


Papa Françesku, në fjalimin e tij të parë publik në Kanada, u ka kërkuar falje të mbijetuarve të shkollave rezidenciale indigjene.

“Më vjen shumë keq”, ka thënë Papa në një ish-shkollë rezidenciale në Maskwacis, pranë Edmontonit.

Për të, falja është hapi i parë dhe se duhet të ndodhë një “hetim serioz” për abuzimet.

Papa ndodhet në Kanada për të kërkuar falje për rolin e Kishës në shkollat që synojnë asimilimin e fëmijëve indigjenë.

Shkollat e financuara nga qeveria ishin pjesë e një politike që synonte të shkatërronte kulturat dhe gjuhët indigjene.

Atje Papa u prit me duartrokitje nga të mbijetuarit në audiencë, disa prej të cilëve kishin shkuar nga larg për të dëgjuar fjalimin e tij.

Papa Françesku shprehu “dhimbje, indinjatë dhe turp” për veprimet e shumë anëtarëve të Kishës Katolike Romake, të cilët drejtonin shumicën e shkollave rezidenciale në Kanada.

85-vjeçari e quajti sistemin e shkollave një “gabim katastrofik” dhe kërkoi falje “për të keqen e kryer nga kaq shumë të krishterë” kundër popujve indigjenë.

Papa ka thënë po ashtu se udhëtoi për në Kanada me një palë mokasina të vogla të dhuruara nga një delegacion indigjen në Vatikan në fillim të vitit.

Mokasinet, të cilat Papës iu kërkua t’i kthente, shërbejnë si simbol për fëmijët që ndiqnin shkollat ​​rezidenciale dhe që nuk u kthyen kurrë në shtëpi.

Sipas tij, mokasinet “na flasin për një rrugë që duhet ndjekur”, atë të drejtësisë, shërimit dhe pajtimit.

Sakaq, vërejtjet e tij u dëgjuan nga krerët indigjenë që u mblodhën në Muskwa Park së bashku me të mbijetuarit e shkollave rezidenciale.

Të pranishëm ishin gjithashtu kryeministri Justin Trudeau dhe guvernatori i përgjithshëm Mary Simon, personi i parë indigjen që mbajti atë pozicion.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore