Lajme

Pakistan/ Lirohet nga burgu pasi vrau të motrën


Një gjykatë pakistaneze e apelit, të hënën e 14 shkurtit liroi vëllain e yllit të mediave sociale, Qandeel Baloch, pasi u akuzua për vrasjen e saj.

Vrasja, e cila ndodhi në vitin 2016 shkaktoi zemërim kombëtar dhe ndryshime në ligjet që mbulojnë të ashtuquajturat “vrasje nderi”.

Muhammad Waseem, në vitin 2019, apeloi dënimin për vrasje dhe vendimin për burgim të përjetshëm.

“Ai është liruar plotësisht” nga një gjykatë në qytetin lindor të Multan, tha avokati i tij Sardar Mehboob, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Urdhri i gjykatës ende nuk është bërë publik.

Edhe nëna e tij kishte dorëzuar një deklaratë në gjykatë se ajo e kishte falur. Nuk ishte e qartë nëse gjykata e mori parasysh deklaratën e nënës në vendimin e saj apo jo.

Amendamenti kryesor në ligjet që kanë të bëjnë me “vrasjet për nder” në vendin konservator mysliman ishte se askush nuk mund të lirohej bazuar vetëm në faljen e një anëtari të familjes.

Waseem, në një konferencë mediatike të vitit 2016 të organizuar nga policia, kishte pranuar se ai ishte vrasësi i motrës së tij 26-vjeçare për shkak të aktiviteteve të saj në mediat sociale.

Edhe myftiu Abdul Qawi, i cili u arrestua për përfshirjen e tij të dyshuar në vrasje, u lirua më vonë pasi policia se nuk mund të gjente prova që e lidhnin me vrasjen.

Baloch postonte në Facebook shkrime dhe foto në përpjekje për të ndryshuar “mendësinë fanatike” të njerëzve në Pakistan. Ajo u përball me abuzime dhe kërcënime të shpeshta me vdekje, por vazhdoi të postonte foto dhe video që shiheshin si provokuese.

Ajo kishte ndërtuar një karrierë modelimi në rrjetet e saja sociale, e cila tërhoqi zemërimin e shumë pakistanezëve.

Vrasja e saj shkaktoi valë tronditëse në të gjithë Pakistanin dhe mediat sociale, duke nxitur qeverinë të forcojë ligjet që kanë të bëjnë me burrat që vrasin një të afërm në emër të nderit të familjes.

Qindra gra, çdo vit në Pakistan, vriten nga anëtarët e familjes për shkelje të perceptuara të nderit, si arratisjen, shoqërimin me burra jashtë martesës ose shkelje të tjera të vlerave konservatore myslimane mbi modestinë femërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore