Lajme

Padia e avokatëve libanezë kundër kompanisë së regjistruar në MB mbi shpërthimin në portin e Bejrut-it


Avokatët libanezë kanë paditur në Gjykatën e Lartë në Londër një kompani kimike të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, për rolin e saj të supozuar në shpërthimin masiv të vitit të kaluar në portin e Bejrut-it që vrau më shumë se 200 njerëz.

E përditshmja “Financial Times” tregon se padia është ngritur këtë muaj kundër Savaro Ltd nga Dhoma e Avokatëve në Bejrut dhe katër të tjerë, përfshirë një të mbijetuar të shpërthimit dhe familjet e dy personave që u vranë.

Sipas pretendimeve, kompania kimike nuk ka arritur të ruajë ose asgjësojë siç duhet qindra tonë nitrat amoni që u ndez më 4 gusht të vitit të kaluar, duke shkaktuar një nga shpërthimet më të mëdha jo-bërthamore në histori.

Avokatët kanë sqaruar se rasti ishte një përpjekje për të mbajtur përgjegjësinë mbi shpërthimin, i cili shkatërroi zona të mëdha të Bejrut-it, vrau të paktën 218 njerëz, plagosi mijëra të tjerë dhe shkaktoi afro katër miliardë dollarë dëme në kryeqytetin libanez.

Gjithnjë e më shumë, familjet e viktimave i kanë lidhur shpresat me hetimet ndërkombëtare për t’u sjellë atyre drejtësi, duke fajësuar elitën qeverisëse të Libanit për pengimin e një hetimi të brendshëm.

Ky rast po sillet në Londër sepse Savaro, e listuar si një kompani kimike, është regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, avokatët po kërkojnë dëmshpërblim nga kompania, edhe pse kjo do të përcaktohet më vonë.

Padia ka nxjerr se Savaro zotëronte 2 mijë e 750 ton nitrat amoniumi, i cili ishte i destinuar që në vitin 2013 për një kompani eksplozivësh në Mozambik. Dhe anija që transportonte ngarkesën e hedhur në portin e Bejrut-it rrugës për në Afrikën jugore dhe materiali kimik, i cili përdoret në eksploziv, u ngarkua në 2014-n në një magazinë porti me udhëzimet e një gjykate libaneze.

Richard Slade, një avokat në firmën juridike me të njëjtin emër që përfaqëson Savaro-n, ka treguar se kompania e kimikateve “nuk ka tregtuar kurrë” dhe nuk ka hyrë në transaksionet e përmendura në padi.

Slade ka sqaruar se kompania do të bëjë mbrojtjen e saj “në kohën e duhur”.

Lidhur me padinë, ajo po udhëhiqet nga Camille Abousleiman, një ish-ministër libaneze i punës dhe firma juridike Dechert, ku është partner.

Abousleiman ka treguar për “Financial Times” se besonte që Savaro ishte pronari i nitratit të amonit dhe si i tillë ishte përgjegjës sipas ligjit libanez për ruajtjen, asgjësimin e duhur të tij dhe çdo dëm të shkaktuar prej tij.

“Viktimat dhe anëtarët e familjes të mbijetuar të viktimave besojnë se kushdo që ka përgjegjësi direkte ose indirekte për këtë shpërthim duhet të sillet para drejtësisë, si penale ashtu edhe civile, kudo që ka juridiksion”, ka thënë Abousleiman. “Unë nuk mendoj se dikush duhet t’i shpëtojë drejtësisë në këtë situatë të tmerrshme”, ka shtuar.

Vitin e kaluar, një hetim nga “Financial Times” zbuloi se Savaro kishte bërë hetime në lidhje me dërgesën në vitin 2015, por nuk u arrit të konfirmohej nëse kompania ndërmori veprime të mëtejshme pasi u mësua nga një raport i lëshuar nga gjykata libaneze se më shumë se gjysma e qeseve që mbanin nitrat amoniumi ishin dëmtuar.

“Ne jemi shumë të sigurt se do të kemi dëshmi se kush është pronari përfitues”, ka siguruar Abousleiman javën e kaluar.

“Ne duam ta sjellim këtë person para drejtësisë ose në Angli si pjesë e aksionit aktual ose në ndonjë mënyrë tjetër”, ka vijuar ai.

Kurse Slade nuk ka pranuar të komentojë mbi pronësinë e Savaro-s.

Në janar, kompania kishte kërkuar të fillonte procedurat e likuidimit, por ky proces kishte ndalur prej padisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore