Lajme

Osmani takon Mesiç dhe Topin: Raportet e shteteve tona janë ndërtuar mbi themele të forta


Stjepan Mesiç, Vjosa Osmani dhe Bamir Topi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën e 12 shkurtit ka pritur në takim ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topin, ku me ç ‘rast ajo ka falënderuar të dy ish-presidentët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm personal në mbështetje të Kosovës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Gjatë takimit u theksua se raportet e ngushta ndërshtetërore në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë ndërtuar mbi themele të forta historike dhe respekt të ndërsjellë tradicional në mes të kombit shqiptar dhe atij kroat.

Në këtë takim, Osmani ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet tri shteteve, përballë sfidave rajonale dhe globale dhe në funksion të stabilitetit dhe avancimit të agjendave Euro-Atlantike në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani shprehu besimin e saj se ish-presidentët Mesiç dhe Topi do vazhdojnë të jenë avokues për Republikën e Kosovës në qarqe dhe forume ndërkombëtare ku ata marrin pjesë.

Stjepan Mesiç dhe Albin Kurti

Mesiç, i cili është në një vizitë në Kosovë, para se të takojë Presidenten Osmani, ishte në vizitë te Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Për Konjufcën, Mesiç, është mik i sinqertë i Kosovës.

“Falënderova ish-presidentin kroat për kontributin e tij të pazëvendësueshme në shtetndërtimin e vendit tonë. Jeni gjithmonë të mirëseardhur dhe Kosovën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj”, ka thënë Konjufca.

Sipas kryetarit Konjufca, Kroacia ishte dhe do të jetë edhe më tutje mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

“Dy vendet tona, si partnerë strategjikë, kanë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi në shumë fusha me interes të përbashkët, përfshirë edhe atë të legjislativit”, ka shtuar ai.

Stjepan Mesiç dhe Glauk Konjufca

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore