Lajme

Osmani përkujton martirët e Bukoshit: Shteti i Serbisë mban përgjegjësi për vrasjen e tyre


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar martirët e Bukoshit, në 24-vjetorin e vrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar martirët e Bukoshit, në 24-vjetorin e vrasjes së tyre.

“24 vjet më parë, forcat serbe mblodhën në oborrin e shkollës në Bukosh 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë, të cilët i vranë mizorisht. Vrasja e tyre ishte pjesë e strategjisë së njohur serbe për dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, krijimin e kolonave, ndarjen e grupeve të qytetarëve dhe më pas vrasjen dhe zhdukjen me forcë të tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkaq, Osmani tha se pasi i ndanë nga kolona, forcat serbe i vranë mizorisht ata, “vetëm pse ishin shqiptarë dhe se kërkonin të jetonin të lirë në vendin e tyre”.

“Shteti i Serbisë mban përgjegjësi për vrasjen e 25 qytetarëve të Bukoshit, por edhe për mijëra qytetarëve të tjerë të Kosovës. Serbia duhet ta pranojë përgjegjësinë, në mënyrë që kriminelët e luftës, të cilët vranë mijëra qytetarë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës, të dalin para drejtësisë”.

“I përjetshëm kujtimi për martirët e Bukoshit!”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore