Kosova

Osmani: Kur regjimi gjenocidal i Serbisë mbylli shkollat, Austria ia mundësoj të rinjve tanë që t’i vazhdojnë studimet


Në ceremoninë e themelimit të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti i Kosovës është bërë nga përkrahja e miqve të saj, sikurse Austria.

“Në ditët e errëta të historisë sonë kur regjimi gjenocidal i Serbisë mbylli shkollat dhe universitetin, ishte shteti i Austrisë dhe miku i Kosovës Erhard Busek që ia mundësoj të rinjve tanë që të vazhdojnë studimet atje, duke qenë shteti i parë evropian që njohu diplomat tona”, tha Osmani.

Osmani ka theksuar se diplomati austriak Albert Rohan ishte ndër mbështetësit më të mëdhenj “në rrugën tonë drejt pavarësisë”.

“Një falënderim nga zemra për të gjithë miqtë austriakë që na mbështetën për liri dhe pavarësi, që po dëshmohet edhe në ditët e sotme nëpërmjet zërit të fuqishëm të eurodeputetit Lukas Mandl”, shtoi ajo.

Ajo ka shtuar se fuqia e miqësisë mes të dyja vendeve është e pamatshme.

“Bashkëpunimi i ndërsjellët ekonomik shërben edhe si bazë për miqësi afatgjate duke promovuar edhe stabilitetin ekonomik në shkallë të lartë”.

Për Osmanin, miqësia e Kosovës me Asturinë është sa e vjetër aq edhe e çmueshme.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se miqësia mes shoqërisë austriake dhe kosovare do të rritet.

“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës si para ashtu edhe pas pavarësimit të vendit tonë, duke ofruar mbështetje në një sërë fushash nga zhvillimi ekonomik e deri tek bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit bashkë me 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, shënuam edhe 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vende tona”, potencoi ai.

Kurti, ka vlerësuar lart edhe mbështetjen e shtetit të Austrisë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore