Lajme

Osmani e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve me Izraelin      


Haim Katz dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka takuar ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz, i cili po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare.

Në një komunikatë për media e lëshuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës pas takimit Osmani – Katz, bëhet e ditur se presidentja ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë dhe Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve”.

Në takim, siç thuhet në komunikatë për media është diskutuar edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentes në Izrael, me ftesë të Presidentit Herzog”.

Haim Katz dhe Vjosa Osmani

Ndryshe një ditë më parë ministri izraelit u prit në takim edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, me të cilin kishte diskutuar rreth mundësisë së udhëtimit pa viza midis Kosovës dhe Izraelit.

Gërvalla takohet me ministrin izraelit, flasin për mundësinë e udhëtimit pa viza ndërmjet vendeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore