Lajme

Oficeri italian dënohet me 30 vjet burg, sepse i shiti sekrete Rusisë


Një kapiten i marinës italiane është gjetur fajtor dhe është dënuar me 30 vjet burgim, pasi u zbulua se i kishte shitur sekrete ushtarake Rusisë.

Në këtë përfundim doli një gjykatë ushtarake italiane, e cila mori edhe vendimin përfundimtar mbi fatin e 56-vjeçarit Walter Biot.

Sipas gjetjeve nga grupi hetimor, Biot informatat ia pati dhënë një punonjësi të Ambasadës ruse në Romë, në një parking makinash.

Rrjedhimisht, përtej dënimit të tij, Italia dëboi edhe dy diplomatë rusë nga kryeqyteti.

Ndër të tjera, pjesë e dosjeve që Biot i pati dorëzuar rusëve, ishin edhe disa dokumente të klasifikuara të NATO-s, të cilat i kishte shitur për 5 mijë euro.

Sipas avokatit mbrojtës të të akuzuarit, asnjë dokumentacion i rëndësishëm nuk ishte shkëmbyer mes zyrtarit italian dhe diplomatëve rusë.

Por, faktet folën për të kundërtën.

Kjo nuk është hera e parë kur një rast i tillë regjistrohet në Evropë, pasi precedentë ka edhe në Gjermani, Francë, apo vende të tjera të mëdha të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ashpërsia ndaj këtyre veprimeve ka qenë shumë më e madhe pas agresionit rus në Ukrainë, i cili e ka kthyer në çështje shumë më të ndjeshme shitjen e materialeve të tilla te rusët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore