Lajme

Një takim në Paris?


Ilustrim

Nuk mund të përjashtohet një takim eventual midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë në dritën e përpjekjeve për ripërtëritjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, posaçërisht në një ngjarje që ofron kushte të volitshme për hapjen e rrugëve të komunikimit drejt zgjidhjes së konflikteve ndër-shtetërore, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe diplomacisë.

Ashtu sikurse nuk mund të shmangen as përpjekjet eventuale të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, drejt përcaktimit të shpejtësisë së dakordimit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve, në një mjedis jashtë kufizimeve të bisedimeve zyrtare.

Dhe kjo është vetëm një pasqyrë e shkurtër e agjendës së “maratonës diplomatike” të kësaj jave në Forumin e Paqes në Paris (PPF), i cili mbledh rreth vetes liderë, diplomatë e personalitete të shoqërisë civile nga mbarë bota, ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nën trysninë e kërcënimeve të paqes.

Drejtori i Institutit “Musine Kokalari” për Politika Sociale në Prishtinë, Visar Ymeri, ndonëse vlerëson se ftesa ndaj kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç nuk i referohet ekskluzivisht rrjedhës së tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, shton se presidenti francez do ta shfrytëzojë praninë e tyre për të organizuar një takim “tete-a-tete” mes dy liderëve ballkanikë.

Ftesa për kreun e ekzekutivit kosovar dhe shefin e shtetit serb vjen rreth dy javë pas ciklit të takimeve në Bruksel të Belgjikës, ku dy udhëheqësit janë takuar veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për ripërtëritjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron / Pallati Elysee, Paris, 9 nëntor

“Në këtë drejtim – nëse do të ketë takim – do të jetë vazhdimësi e takimit në Bruksel në të cilin edhe Kurtit edhe Vuçiçit u është kërkuar progres shumë më i madh në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Dhe takimi eventual në Paris do ta ketë këtë qëllim në qendër”, thotë Ymeri, derisa shton se ky është tregues për dinamizimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

E profesori i Diplomacisë në Shkollën e Menaxhimit (IESEG) në Paris, Valon Murtezaj, ndonëse vlerëson se kryeqyteti francez ofron gjithmonë një mundësi për takime të veshtira dhe nuk e përjashton mundësinë, shpreh skepticizmin sa i përket potencialitetit të një takimi trelataral, derisa kujton se dialogu Kosovë-Serbi është nën ekskluzivitetin e Bashkimit Evropian (BE).

“PPF-ja është një ngjarje primare dhe një mundësi që të diskutohet për të gjitha rivalitetet dhe konfliktet. Por, nuk duhet rritur pritjet sepse procesi i dialogut zhvillohet në nivel të BE-së dhe vendimet kryesore merren në këtë nivel. Shpallja e zgjedhjeve në Serbi është një shenjë destruktive se Vuçiçi do të tentojë të shtyjë angazhimin për zbatimin e marreveshjeve”.

Përkundër profesorit Murtezaj, i cili pritet të jetë prezent në edicionin e pestë të PPF-së, sociologu Ymeri konsideron se megjithatë, në kuadër të shënimit të Ditës së Armëpushimit (1918) do të ketë lëvizje përpara në drejtim të dakordimit të mëtejmë për modalitetet e zbatimit të zotimeve që palët kanë marrë përsipër, veçanërisht përgjatë javëve të fundit.

Kurti dhe Vuçiç kanë udhëtuar të mërkurën drejt Francës, por nuk është konfirmuar zyrtarisht për një takim mes tyre, megjithëse burime të Albanian Post kanë lënë të hapur mundësinë e një takimi Macron-Kurti-Vuçiç në kuadër të përpjekeve të shtuara të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për zbutjen e tensioneve mes dy fqinjëve armiqësorë.

Përkundër se është ende herët të priten “rezultate spektakolare”, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pritet të hyjë në fazën përmbyllëse. Duke qenë se për rezultate është herët të flitet, ekizton bindja e krerëve të shteteve evropiane se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet euro-atlantike të Kosovës e Serbisë.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” do vazhdojë ditët në vijim, negociatat diplomatike nuk do të lejohen të kthehen në arsye për papajtueshmëri se sa për të zgjidhur problemet, kurse kryenegociatorët do të takohen pas dy jave në Bruksel për të diskutuar hapat e radhës në një mjedis të ndërmjetëm të kompromisit të negociuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore