Lajme

Një takim në Davos?


Ilustrim

Një takim eventual i nivelit të lartë midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë në dritën e përpjekjeve për ripërtëritjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në vitin e ri, posaçërisht në një ngjarje që ofron kushte të volitshme për hapjen e rrugëve të komunikimit dhe bashkëpunimit midis shteteve, tashmë është përjashtuar nga zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE).

Megjithatë, nuk janë përjashtuar përpjekjet eventuale të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, drejt përcaktimit të shpejtësisë së dakordimit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve, në një mjedis jashtë kufizimeve të bisedimeve zyrtare.

Dhe kjo është vetëm një pasqyrë e shkurtër e agjendës së “maratonës diplomatike” të kësaj jave në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i cili mbledh rreth vetes liderë, diplomatë e personalitete të biznesit, ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nën trysninë e kërcënimeve të paqes.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, konfirmoi se të hënën priten të realizohen takime të ndara mes emisarit sllovak dhe kryeministrit kosovar e presidentit serb, megjithëse nuk është planifikuar një takim trelateral i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ngase ky proces zhvillohet në nivel të BE-së.

Agjenda e kryeministrit Kurti në Forumin Ekonomik akoma nuk dihet. Qeveria e Kosovës nuk tregoi nëse do të ketë ndonjë takim eventual midis kreut të ekzekutivit kosovar, diplomatit sllovak dhe presidentit serb. Nga ekzekutivi njoftuan se “agjenda nuk është finale” dhe rrjedhimisht, mund të ndryshojë ndërkohë. Samiti do të nisë më 15 janar dhe do të zgjasë katër ditë.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç janë takuar për herë të fundit në shtatorin e vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa në tetor janë takuar veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për t’i shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt zbatimit të marrëveshjeve dhe zbutjen e tensioneve.

Zgjedhjet në BE/SHBA zbehin perspektivën e dialogut – mund të prodhojnë rezultate të pafavorshme për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore