Lajme

Një sulm i ngjashëm sikurse në veri të Kosovës mund të kryhet në Bosnje-Hercegovinë, alarmon instituti amerikan


Ilustrim

Një sulm i ngjashëm terrorist sikurse në shtator të vitit të kaluar në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banur me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës mund të kryhet edhe në Bosnje-Hercegovinë, paralajmëroi instituti amerikan për strategji dhe politika “New Lines” gjatë javës, ndërsa spikaten përpjekjet e ripërtërira të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Një sulm i shtatorit 2023 në fshatin kosovar të Banjës nga një forcë paramilitare që u stërvit në një bazë ushtarake serbe dhe që zyrtarët e Kosovës pretendojnë se Serbia planifikoi ta përdorte sikur justifikim për të aneksuar pjesën veriore të Kosovës, mund të shërbejë si model”, alarmoi në fillim instituti amerikan në një raport mbi sfidat e sigurisë në rajon.

“Një sulm i ngjashëm nga një grup paramilitar mund të kryhet në Bosnje-Hercegovinë nga kontraktorë privatë, ish-anëtarë të forcave speciale dhe vullnetarë, nën mbështetjen logjistike dhe taktike nga autoritetet lokale të Republikës Serbe, Rusisë dhe Serbisë. Një sulm i tillë do të shkaktonte dëme të konsiderueshme për sigurinë dhe shtetësinë boshnjake”, thuhet tutje.

Në raportin e institutit amerikan konsiderohet gjithashtu se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në janar paralajmëroi se viti 2024 do të sjellë konflikte të reja në Republikën Serbe dhe Kosovë, nuk janë të rastësishme, ndërsa ngriten pyetje serioze rreth aftësisë së NATO-s për ta parandaluar një sulm të mundshëm në Bosnje-Hercegovinë pas Kosovës.

“Prandaj, një angazhim i kujdesshëm politik dhe ushtarak i NATO-s që përfundimisht do të çojë në anëtarësimin e plotë mbetet jetik për Bosnje-Hercegovinën në sigurimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Çdo alternativë tjetër i jep më shumë hapësirë rajonit që të bëhet teatri i ardhshëm i përçarjeve të Rusisë në kontinentin evropian”.

E në vorbullën e zhvillimeve aktuale, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale, intelegjenca amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i dhunës në Ballkanin Perëndimor edhe përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të vendit që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

Kosova të përgatitet për destabilizimin e ardhshëm të veriut, rekomandon instituti amerikan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore