Lajme

Një shqiptar në krye të projektit që pritet të transformojë politikat madhore të SHBA-ve


Ylli Bajraktari, kryetari i Projektit Special të Studimeve Speciale (SCSO)

Ylli Bajraktari është zgjedhur në krye të Projektit Special të Studimeve Speciale (SCSO) nga ish-bosi i Google, Eric Schmidt.

SCSO do të rekomandojë strategjithë dhe politikat vendimtare afatgjate të SHBA-ve.

Kjo është bërë e ditur nga gazetari Ruben Avxhiu, në një shkrim të botuar në gazetën online Illyria.

“Për të drejtuar këtë nismë vizionare, ish-bosi i Google-t ka zgjedhur ekspertin shqiptaro-amerikan Ylli Bajraktari që ka punuar në dy administratat e presidentëve Barack Obama dhe Donald Trump dhe së fundi ka qenë figurë kryesore në zyrën e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Gjeneralit H. R. McMaster. Historia e tij dhe e vëllait të tij, Ylber Bajraktari, si emigrantë lufte që u ngjitën në shkallët e larta të administratës amerikane është bërë e njohur në shumë gazeta të vendit”.

Avxhiu shkruan se Schimdt po imiton projektin e mendimit politik gjatë luftës së ftohtë dhe se Ylli Bajraktari mund të konsiderohet si “Henry Kissingher i kohës sonë”.

Sipas Avxhiu-t, kjo është pozita më e lartë që e ka pasur një shqiptar në histori.

“Ne krenohemi me figura si Ferid Muradi, Wilson Kokalari etj, por në sferën e shërbimit publik, sidomos në një fushë që mund të përcaktojë të ardhmen e kombit amerikan, nuk ka pasur ndonjë figurë kaq të madhe shqiptare”, shkruan ai.

“Pa dyshim jo në një moshë kaq të re dhe jo kaq të lidhur me rrënjët shqiptare e produkt i historisë sonë kombëtare të kohëve të fundit. Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të politikës së jashtme amerikane për fatin e kombit tonë, kjo pozitë e fuqishme e Ylli Bajraktarit merr edhe më shumë rëndësi. Ky sukses kaq i shpejtë në sferat më të larta të vendimeve madhore amerikane të bën vërtet të mendosh se ky i ri shqiptaro-amerikan do të lërë gjurmë të rëndësishme në histori”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore