Lajme

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë që ndodhi dhjetë vite më parë në Junik


Gjykata Themelore në Pejë.

Gjykata Themelore në Pejë, ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje, B.D.

Këtë e ka bërë të ditur, Gjykata përmes një komunikate për media në të cilën thuhet se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Ekziston dyshimi se B.D., më 16 maj 2012, rreth orës 14:25, me dashje dhe për motive të ulëta ka privuar nga jeta të ndjerët B.P dhe V.P, e po ashtu ka plagosur rëndë viktimën N.P, në atë mënyrë qe deri te vrasja kishte ardhur pas një konflikti që kishin me herët këto dy familje”, thuhet në komunikatë.

B.D është i dyshuar se ka kryer veprën penale, “vrasje e rëndë” dhe veprën penale, “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

“I pandehuri, që nga data e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati me qëllim që ti shmanget përgjegjësisë penale dhe i njëjti është arrestuar dhe është ekstraduar vetëm pas bashkëpunimit juridik – ndërkombëtar në mes të autoriteteve kosovare me autoritetet belge andaj, gjykata vlerëson se po qe se i pandehuri gjendet në liri ekziston rreziku që i njëjti të arratiset përsëri e me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedure”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Pejë.

Në mes të tjerash, thuhet se ekziston akoma rreziku real që i njëjti të përfundoj veprën e nisur në dëm të viktimës.

“Gjithashtu, duke e pas parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së vrasjes gjykata ka vlerësuar se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku real që i njëjti të përfundoj veprën e nisur në dëm të viktimës N.P ose të kryejë vepër të re penale”.

Gjykata po ashtu kishte shqyrtuar edhe masa të tjera por që nuk kanë qenë adekuate.

“Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit B.D në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate”.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore