Sport

Një foto me idhullin e tij, i kushtoi me largim nga puna


Një fotografi me idhullin e tij, i ka kushtuar me dalje nga puna djaloshit 18-vjeçar, Matteo Lo Cicero.

Ngjarja ka ndodhur në stadiumin e Romës, më konkretisht pas ndeshjes Roma – Napoli.

Djaloshi i lartpërmendur është punonjës në stadiumin e kryeqytetit italian apo steward.

Pasi përfundoi ndeshja, ai priti një kohë të gjatë për t’u takuar me idhullin e tij, sulmuesin e Napolit, Victor Osimhen, për ta bërë një foto së bashku.

Por, ajo foto i kushtoi shumë, pasi djaloshin e pezulluan ndërsa e njoftuan se ai nuk mund të jetë më stewart dhe një punë të tillë nuk mund ta bëjë në ndeshjet e Romës në “Olimpico”.

Gazetari i njohur i sportit, Oma Akatugba, që është gjithashtu mik i Osimhen-it e ka treguar këtë ngjarje me djaloshin nga Roma.

“Ndërsa prisja Viktorin pas ndeshjes në këtë vend ku lejohet të hyjnë vetëm miqtë, familja dhe të besuarit dhe agjentët e ngushtë, pashë këtë djalë që punonte si një nga stjuardët. Pyeti se kë prisja, i thashë Viktor Osimhen. Ai tha oh, ai është idhulli im”, shkruan Akatugba.

“Ai hapi shpejt telefonin e tij për të më treguar të gjitha fotot e Viktorit në telefonin e tij dhe se si ai gjithmonë poston për Viktorin”.

“Kështu ai më kërkoi të realizoja ëndrrën e tij që ishte të takohej dhe të bëj një foto me Viktorin. I thashë me siguri që do të të çoj tek ai. Ndoshta për të thënë faleminderit”, ka shkruar Akatugba.

Megjithatë, siç shpjegohet nga mediat italiane, Osimhen që ishte dëshmitar i skenës në momentin kur djaloshin e pezulluan u mundua ta mbronte 18-vjeçarin duke theksuar se ai ishte shoku i tij.

Por, kur fjalët e sulmuesit nigerian nuk u morën parasysh, ai i premtoi djaloshit që do t’ia gjente një punë.

Kujtojmë që ishte pikërisht Osimhen që vulosi ndeshjen, duke shënuar golin e vetëm në atë sfidë që Napoli e fitoi me rezultat 0:1.

Osimhen është një nga sulmuesit më të fortë aktualisht në botë. Në verën e kaluar disa klube të mëdha ofruan deri në 100 milionë euro për shërbimet e tij, por Napoli refuzoi paratë për ta mbajtur atë në skuadër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore