Lajme

Nga janari edhe 140 ushtarë të tjerë amerikanë mobilizohen në Kosovë


Misioni i NATO-s në Kosovë

Dhjetëra ushtarë të Gardës Kombëtare së Virginias (Virginia National Guard), do të mobilizohen për detyra federale aktive në Republikën e Kosovës.

Sipas një njoftimi, rreth 140 anëtarë të Batalionit të Dytë me bazë në Sandston, Regjimenti i 224-të i Aviacionit dhe Divizioni i 29-të i Këmbësorisë do të punojnë si forcë e aviacionit për Komandën Rajonale të Forcës së Kosovës të drejtuar nga selia lindore e NATO-s, shkruan gazeta amerikane, “CBS19 News”.

Këtë e ka bërë të ditur Gjeneralmajori i Virginias, Timothy Williams, i cili ka shtuar se forca e aviacionit do të mbështesë Shtabin e Ekipit Luftarak të Brigadës së Këmbësorisë 116 me bazë në Staunton, pasi ata marrin përgjegjësinë për rotacionin e 30-të, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Timothy P. Williams – Gjeneralmajor i Virginia-s

Tutje, thuhet se këto operacione po realizohen me qëllim të një mjedisi më të sigurt për popullin kosovar, ndërsa dialogu politik mes Prishtinës dhe Beogradit po vazhdon akoma.

“Trupat e KFOR -it të NATO -s kryejnë operacione mbështetëse të paqes për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë, derisa dialogu politik vazhdon mes Kosovës dhe Serbisë”.

Mes tjerash, Williams, ka vlerësuar lartë punën e aviatorëve dhe mirëmbajtësve të këtij shtabi.

Emblema e Gardës Kombëtare të Virginias

“Mbështetja e aviacionit për lëvizjen e trupave dhe evakuimin mjekësor është një element kritik për misionin e NATO -s në Kosovë, dhe Shtabi i 116 -të (IBCT) është me fat që ka një ekip me përvojë aviatorësh dhe mirëmbajtës, mes të cilëve janë edhe ushtarët nga Virginia”, tha Williams.

Mobilizimi në fjalë pritet të zgjasë rreth 12 muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore