Lajme

Nëse Kurti nuk do partneritet në çështjen e dinarit, do ketë ndikim në raportet tona – thotë Hovenier


Jeff Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit dhe diplomatët e tjerë nga shtetet e QUINT-it, se nëse Kosova nuk tregohet partnere në çështje si kjo e dinarit serb, atëherë do të afektojë raportin bilateral dhe kualitetin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

“Ne do të shpresonim që Qeveria të ishte partnere me ne, këto janë çështje ku kërkohet partneritet nga Kosova dhe Qeveria e Kosovës po të ishte partnere në çështje të tilla do të riforconte partneritetin tonë. Por, nëse Qeveria e Kosovës nuk dëshiron partneritet në këto çështje, do të ketë ndikim në kualitetin e partneritet tonë”, tha Hovenier para gazetarëve që po prisnin prej orësh përfundimin e takimit.

Diplomati amerikan ka ripërsëritur se qeveria amerikane, por edhe qeveritë e shteteve si Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe janë “të shqetësuar për këtë rregullim të ri të BQK-së”, pasi afekton negativisht minoritetin serb.

“Të gjithë kemi shprehur shqetësimet e njëjta nga QUINT-i. Ne do të donim shtyrje të këtij rregullimi, derisa të bëhet më shumë punë për të zhvilluar një plan dhe një strategji, që merr parasysh realitetin, shqetësimet e komunitet dhe çështjet praktike: si një individ që merrte paratë në kesh nga posta, tani t’i marr në formë tjetër”.

Hovenier u ankua se Qeveria e Kosovës para vendimit nuk ka bërë “shpjegim të mjaftueshëm publik që e shpjegon procedurën e re”.

“Prandaj, derisa absolutisht e respektoj dhe mbështes dhe e mirëpres zbatimin e plotë të Kushtetues së Kosovës dhe e njohim dhe e respektojmë rolin e BQK-së – dhe në fakt SHBA-të i kanë ndihmuar ato institucione të konsolidohen; dhe natyrisht mbështesim përpjekjet për të shmangur krimet ekonomike, shpëlarjen e parave e të tjera – ne kemi shqetësime të thella për mënyrën se si ky rregullim po zbatohet dhe nuk merr parasysh realitetin dhe shqetësimet e qytetarëve”, pohoi ambasadori amerikan, i vetmi që foli pas takimit me Kurtin.

Sa për atë se si u është përgjigjur Kurti kërkesave të tyre, ai pohoi se “do ta lë Qeverinë e Kosovës të flas vetë se si do ta ri-konsiderojë këtë rregullim”.

“Unë mund të flas vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që duam shtyrje që të bëhet më shumë punë për zbatim që është konform një standardi evropian dhe ka mjaftueshëm edukim për këtë çështje”, konstatoi Hovenier.

I pyetur se a ka biseduar me liderët e opozitës për këtë çështje, ai tha se “jo, nuk kam pasur biseda me ta”.

Banka Qendrore e Kosovës ka filluar nga 1 shkurti zbatimin e një vendimi që ndalon transaksione zyrtare të dinarit serb në Kosovë, duke rikonfirmuar se e vetmja valutë për transaksione të tilla është euro.

Serbët e Kosovës janë ankuar që do të kenë probleme të mëdha, meqë ata pensionet dhe benefitet tjera sociale i marrin përmes postës në para kesh nga Serbia.

Fakti se tash mund të mos i marrin ato para, i vë në pozitë të vështirë, thonë ata.

Këto shqetësime të tyre janë bërë shqetësime të komunitet ndërkombëtar në Kosove, që po kërkon shtyrjen e një vendimit, derisa të krijohet dhe shpjegohet një model i ri se si mund t’i marrin tah e tutje serbët paratë nga Qeveria e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore