Shqipëria

Në avionin ku askush nuk brohoriste


Sara Qaderi, studentja afgane që është vendosur në Shqipëri

E përditshmja amerikane “The Washington Post”, zbulon historinë e Sara Qaderi-t, një studenteje afgane, e cila gjeti rrugën e shpëtimit mes kaosit – për në Shqipëri.

Një muaj para se talebanët të kapnin Kabul-in, një letër u shfaq në pragun e shtëpisë së Sara Qaderi-t në qytet.

Militantët e dinin që ajo po punonte për një program kërkimor të financuar nga Shtetet e Bashkuara, thuhej në letër.

“Ishte vetëm çështje kohe para se ta vrisnin”.

Qaderi menjëherë mendoi të largohej nga Afganistani, por nuk kishte ku të shkonte.

Data shënonte 15 gusht dhe qeveria po binte. Luftëtarët talebanë po vërshonin drejt kryeqytetit.

Qaderi, një shkencëtare 24-vjeçare e bujqësisë, doli jashtë zyrës së saj në rrugën e mbytur nga trafiku.

“Ne duhet të largohemi”, u tha të afërmve të saj.

Evakuimi

Evakuimi më i madh ajror i civilëve në historinë amerikane ishte gati të fillonte.

Deri në përfundimin e tij, më shumë se 120 mijë persona u transferuan në një vend të sigurt.

Brenda disa ditësh, mijëra familje u ndanë, pa perspektivë të menjëhershme të ribashkimit.

Jetët, si ato të Qaderi-t, u ndryshuan në mënyrë të pashlyeshme. Trajektoret e tyre u përcaktuan nga një kombinim i përafërt i guximit, zgjedhjeve të sekondave dhe rastësisë.

Më pak se një javë pas përpjekjes së tyre të parë katastrofike, Qaderi ishte e përgatitur për ta provuar përsëri.

Ajo duhet të qëndronte zgjuar dhe të priste një sinjal. Në orën 1 të mëngjesit të 25 gushtit, sinjali erdhi.

“Takohuni në Sheshin Shaheed, një rrethrrotullim i zhurmshëm pranë aeroportit, në 4 të mëngjesit”.

Pasi shkuan atje, ata u bashkuan me qindra të tjerë që u ngarkuan në minibusë, deri në pesë persona në vendet e stolave ​​të rezervuara normalisht për dy.

Në vend që të linin autobusët të kalonin, siç ishte pritur, militantët u thanë shoferëve të ktheheshin prapa.

Autobusët u rrethuan, u grumbulluan përsëri dhe tentuan sërish. Përsëri, talebanët refuzuan t’i lejonin të kalonin.

Slotkin

Anëtarja e Kongresit amerikan, Elissa Slotkin, mori një mesazh se 547 afganë nga autokolona kishin arritur brenda aeroportit.

Ajo ende duhej të gjente një vend për të pranuar numrin 113, për të cilin ishte garantuar. Ata nuk kishin të drejtë të vinin në Shtetet e Bashkuara derisa vizat e tyre të miratoheshin zyrtarisht – një proces që mund të zgjasë deri në 12 deri në 14 muaj.

Më shumë se një duzinë vendesh kishin ofruar për t’i marrë refugjatët.

Lista përfshinte Ugandën, Kosovën, Kolumbinë, Ruandën, Uzbekistanin dhe Shqipërinë.

Slotkin dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në Shqipëri kishin punuar së bashku vite më parë mbi politikën e Irak-ut.

Shqipëri

Plani u rregullua me autoritetet në Tiranë që 113 refugjatë afganë të fillonin jetën e tyre të re në Shqipëri, një vend për të cilin shumë prej tyre nuk kishin dëgjuar kurrë.

Slotkin dhe nënkolonel në pension H.R. McMaster hartuan një letër të përbashkët për Ministrinë e Jashtme shqiptare.

“Ne mund t’ju sigurojmë se ata do të jenë një nder për kombin tuaj, ashtu siç ka qenë për ata që janë detyruar të ikin”.

Qaderi dhe laptopi i saj kishte vite e vite kërkimesh brenda saj. Kjo ishte më e rëndësishmja për të.

“Ndërsa avioni u ngrit në qiellin e errët, askush nuk brohoriti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore