Lajme

MPJD shkarkon Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në Nju Jork


Frymëzim Isufaj

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka shkarkuar Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në Nju Jork.

Këtë e ka bërë të ditur vetë konsulli, Frymëzim Isufaj, i cili vendimin e ka cilësuar si arbitrar, jo ligjor dhe tërësisht politike.

Isufajt, përveç se i është kërkuar që nga misioni të largohet brenda 10 ditëve, MPJD ka vënë në pikëpyetje edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës së tij si diplomat karriere në Ministri.

“Përveç ndërprerjes së parakohshme dhe të pa arsyetuar të mandatit tim të rregullt, përmes vendimeve të paligjshme, dëshirojnë që të pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere në institucionin në të cilin kam shërbyer afërsisht në 10 vitet e fundit”, ka shkruar Isufaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Isufaj ka bërë të ditur se do të shterë të gjitha mjetet ligjore pas një vendimi të tillë.

“Për hir të mbrojtjes së kredibilitit të institucionit, si diplomat karriere i cili i ka shërbyer një kohë të gjatë për institucionet e shtetit tonë, e të cilat janë ngritur me shumë mund e sakrificë, unë do ta respektoj këtë vendim pa komentuar motivin e nxjerrjes së tij. Megjithatë, betejën ligjore për të dëshmuar paligjshmërinë e këtij vendimi, do ta vazhdoj tek institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, të cilat besoj se do të jenë të pavarura në trajtimin e lëndës duke vendosur drejtësi në këtë çështje”, ka shtuar ai.

Ndryshe javë më parë MPJD, përmes një njoftimi kishte bërë të ditur ndërprerjen e marrëdhënies së punë së 11 punonjësve të kësaj ministrie, të cilët ishin anëtar të shërbimit të jashtëm.

“Vendimi është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën”, thuhej në njoftim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore