Shqipëria

Meta dekreton Edi Ramën si kryeministër


Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta, gjatë dekretimit të Ramës si kryeministër në mandatin e tij të dytë, 2017

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e ka dekretuar si kryeministër fituesin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Edi Rama, i cili merr tashmë zyrtarisht mandatin e tretë radhazi.

Ky dekretim ka ardhur me arsyetimin ligjor përkatës, duke evituar kështu çdo pengesë të mundshme që ishte hamendësuar më parë.

Me marrjen zyrtare të detyrës, Edi Rama ka tashmë detyrën të emërojë ministrat e kabinetit të tij dhe t’i votëbesojë ata në Parlament. Ky hap duhet të vijë brenda 10 ditësh.

Më pas, i vjen radha edhe dekretimit të tyre nga Presidenti Meta, brenda shtatë ditësh afat.

Me zgjedhjen e djeshme të kryeparlamentares së re, Lindita Nikolla, Meta shfaqi një qasje më unifikuese ndaj palëve.

Lindita Nikolla gjatë zgjedhjes së saj si Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë

Përtej bojkotit të demokratëve në votimin e Nikollës, Meta bëri thirrje për të zbutur tonet dhe për të punuar në të mirë të Shqipërisë.

Tashmë, të njëjtën gjë bën Meta edhe me Ramën, të cilin e dekreton menjëherë dhe e mandaton si kryeministër, duke shmangur çdo retorikë të mundshme politike dhe duke e lënë detyrën e tij në atë institucionale.

E ndryshme, ishte qasja e Metës përpara 25 prillit, kur ai, edhe pse President i Republikës, iu kundërvu qartësisht socialistëve në zgjedhje, duke bërë edhe fushatë kundër tyre.

Thirrja e djeshme e Metës ndërkaq, anonte për nga fillimi i menjëhershëm i punës. Kjo, duke lënë mënjanë debatet dhe bojkotet e kota.

Meta i shkarkuar

Më 9 qershor 2021, në një nga seancat e fundit plenare në sesionin e shkuar parlamentar, socialistët dhe ish-opozita parlamentare, shkarkuan me 104 vota pro, Ilir Metën, nga posti i Presidentit.

Të nevojitura për shkarkimin e tij, ishin 94 vota pro, të cilat u tejkaluan.

Ndërkohë që Kuvendi e ka marrë vendimin, fjala ka shkuar tek Gjykata Kushtetuese. Por, kjo e fundit, nuk ka ende një verdikt përfundimtar për Metën.

Për këtë shkak, ai vijon të mbetet në detyrë si kreu i shtetit.

Edhe pse me akuza të shumta të ndërsjellta gjatë kësaj periudhe, retorika midis dy figurave të larta politike, është sheshuar. Ndërmjet tyre nuk ka më diskurs politik dhe e vetmja gjë që mbetet, është ndërveprimi institucional.

Ndërsa, mbi një bashkëpunim të mundshëm politik, Rama ka mohuar gjithnjë gjithçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore