Lajme

McAllister paralajmëron Serbinë: S’ka fonde për vendet që s’e harmonizojnë politikën e jashtme me BE-në


David McAllister

Kryetari i Komisionit të Parlamentit Evropian (PE) për Punë të Jashtme, David McAllister, tha të mërkurën se vendet e Ballkanit Perëndimor që ngecin në reforma, nuk bëjnë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe nuk harmonizojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë, nuk do të mund të përfitojnë nga fondet e BE-së për rritje ekonomike.

Kështu deklaroi McAllister në seancën e përbashkët të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit për Buxhet të PE-së, ku të mërkurën Komisioni Evropian (KE) paraqiti propozimin për ngritjen e paketës së rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor në vlerë prej 6 miliardë euro për një periudhë 4-vjeçare – nga viti 2024, deri në vitin 2027.

Bëhet fjalë për rreth dy miliardë ndihma të pakthyeshme dhe katër miliardë borgje të KE-së, të destinuara për reformimin e sistemeve politike, ligjore dhe ekonomike, ku qëllimi parësor është ulja e diferencës mes BE-së dhe vendeve të Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve ballkanike në bllokun prej 27 shteteve.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur të hënën e 22 janarit në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të BE-së dhe planin e rritjes ekonomike – një paketë madhore e asistencës financiare – ndërsa është bërë e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i shfrytëzojnë fondet vetëm nëse respektohen kushtet.

Pesë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme – përveç Serbisë. Perspektiva e Serbisë është ende e paqartë, ndërsa vazhdon të mos e harmonizojë politikën e jashtme, duke mos i vendosur sanksione Rusisë për agresionin kundër Ukrainës.

Kosova dhe Serbia do të përfitojnë nga Plani i Rritjes së BE-së duke u vlerësuar ndarazi  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore