Shqipëria

Mbyllet hetimi për 34-vjeçarin që plagosi 5 persona në xhaminë “Dine Hoxha”


Prokuroria e Tiranës, të dielën e 25 korrikut, ka mbyllur hetimet ndaj sulmit me thikë të kryer në xhaminë “Dine Hoxha”, nga shtetasi Rudolf Nikollaj.

Prokurori Hysni Mulaj ka pushuar çështjen në fjalë dhe e ka shpallur Rudolf Nikollajn me çrregullim psikotik të paspecifikuar. Gjithashtu i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Në fund të hetimeve Prokurori ka caktuar masën “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”.

“Rudolf Nikollaj vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe plotëson kriteret diagnostike për çrregullim psikotik të paspecifikuar. Ai nuk është i përgjegjshëm për veprën e kryer, pasi gjykimi dhe sjellja e tij janë udhëhequr prej çrregullimit të mendimit, emocionit e perceptimit”.

Prokurori, në letrën zyrtare shkruan se, Nikollaj nuk mund të akuzohet për “veprën penale vepra me qëllime terroriste”.

Plagosen pesë persona në xhaminë “Dine Hoxha”

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e 19 prillit, ku pesë shtetas shqiptarë janë plagosur me armë të ftohtë në ambientet e xhamisë “Dine Hoxha”, te Rruga e Kavajës Tiranë.

Policia e Tiranës njoftoi se, rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në xhami dhe, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur me mjet prerës pesë shtetas.

Ata i përkasin moshës nga 22 deri në 35 vjeç.

Policia, bëri të mundur prangosjen e autorit.

Bëhet me dije se ai është shtetasi Rudolf Nikolli, 34-vjeçar, nga Burreli.

Për Albanian Post, nga dëshmitarë të rastit bëhet me dije se Nikolla ka qenë në kërkim nga policia.

Pasi një muaj më parë ka plagosur me mjet prerës, thikë, shtetasin R. K., 32 vjeç.

Gjithashtu dëshmitarët thanë se ai ka pasur probleme të shëndetit mendor gjatë gjashtë muajve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore