Lajme

Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të dhe Australia bien dakord të bashkëpunojnë për armët hipersonike


Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australia ranë dakord të bashkëpunojnë për armët hipersonike.

Kështu ka bërë me dije zyra e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, pas një thirrjeje midis liderëve të aleancës së re të mbrojtjes.

Aleanca e re e mbrojtjes Aukus, e nisur në shtator të vitit të kaluar, e shtyu Australinë të anulonte një kontratë për një nëndetëse konvencionale franceze në favor të një programi të nëndetëseve bërthamore të mbështetur nga SHBA-të dhe Britania.

Kjo i dëmtoi marrëdhëniet me presidentin francez Emmanuel Macron.

Udhëheqësit e aleancës, Johnson, presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri australian Scott Morrison kanë thënë se janë të kënaqur me përparimin e programit për nëndetëset e armatosura konvencionale.

Dhe se ata do të bashkëpunojnë edhe në fusha të tjera.

“U angazhuam të fillojmë bashkëpunimin e ri trepalësh për hipersonikët dhe kundërhipersonikët dhe aftësitë e luftës elektronike”, kanë thënë ata në deklaratën e përbashkët.

Tanimë, SHBA-të dhe Australia kanë një program të armëve hipersonike të quajtur SCIFiRE.

Zyrtarët britanikë kanë thënë se megjithëse Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohej atij programi në këtë pikë, të tre vendet do të punonin së bashku në kërkimin dhe zhvillimin në zonë për të rritur opsionet e tyre.

Sakaq, administrata e Biden-it është duke investuar në kërkimin dhe zhvillimin e raketave hipersonike, të cilat udhëtojnë me pesë herë shpejtësinë e zërit, pasi pushtimi rus i Ukrainës ka intensifikuar shqetësimet për sigurinë evropiane.

“Në dritën e pushtimit të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia, përsëritëm angazhimin tonë të palëkundur ndaj një sistemi ndërkombëtar që respekton të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve pa detyrim”.

 

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore