Shqipëria

Mbledhjet online, “mollë sherri” në Parlamentin e Shqipërisë


Në seancën plenare të së enjtes së 23 shtatorit, në Kuvendin e Shqipërisë ka pasur debate për sa i përket zhvillimit të mbledhjeve të Komisioneve të Përhershme të Kuvendit.

Opozita, e cila përbëhet nga Partia Demokratike, ka kundërshtuar që mbledhja e tyre të bëhet online.

Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, kjo kërkesë e mazhorancës dëmton transparencën.

Mazhoranca, e cila përbëhet nga Partia Socialiste, për shkak të pandemisë, ka kërkuar që mbledhjet e këtyre komisioneve të zhvillohen online.

Por, Grupi Parlamentar i PD-së ka kërkuar që ajo të bëhet normalisht, pasi Kuvendi i Shqipërisë ka hapësirat e duhura dhe mund të respektohen masat anti-COVID.

Më tej, Rushaj e ka cilësuar këtë vendim si antikushtetues.

Vendime të tilla, sipas tij, merren në rast kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme – të kushtëzuar nga fatkeqësia natyrore apo gjendje lufte.

“Rregullorja e thotë qartë se kur janë rastet. Ne, sot, nuk jemi në asnjë nga këto gjendje formale juridike për të cunguar punën e Komisioneve Parlamentare”, tha ai.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së theksoi faktin se ky vendim po eliminon parlamentarizmin.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se me këtë vendim janë njohur para fillimit të seancës plenare në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve të Përhershme.

“Kërkojmë që ai vendim i paligjshëm, që u mor në Konferencën e Kryetarëve, të hidhet poshtë dhe të vazhdohet në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën”.

Të menjëhershme kanë qenë replikat nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Ai bëri të qartë sesi fillim, përderisa vendi po përballet me pandeminë e COVID-19, të gjithë deputetët duhet të jenë të vaksinuar.

Në të kundërt, sipas tij, “të vendoset afat që në Kuvend të mos hyjë asnjë deputet pa u vaksinuar”.

Ky vendim, për sa i përket zhvillimit të mbledhjeve online, sipas Ballës, është urdhri përkatës i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Shqipëria është në kushtet e pandemisë dhe Kuvendi duhet të jetë shembull i respektimit të vendimeve që ndërmerr Komiteti i Ekspertëve”, tha Balla.

Sipas Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, kërkesa e Grupit Parlamentar të PD-së nuk përbën çështje procedure, prandaj e cilësoi seancën e sotme të mbyllur.

Seanca u mbyll me miratimin e rendit të ditës, përveçse miratimi i procesverbalit të 16 shtatorit për shkak të zgjatjes – 17 orë – u shty për seancën e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore