Lajme

MB mund të miratojë projektligjin për heqjen e shtetësisë britanike


Sipas një projektligji të ri, qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar mund t’i lindë e drejta që t’u heqë personave, pa një paralajmërim, shtetësinë britanike.

Projektligji, i cili u votua javën e kaluar, do të diskutohet më 5 janar 2022 nga Dhoma e Lartë e Parlamentit dhe Dhoma e Lordëve.

Në vitin 2002, pas miratimit të Aktit të Kombësisë, Emigracionit dhe Azilit qeveria mund t’u hiqte nënshtetësinë britanike vetëm personave që kishin edhe një shtetësi tjetër.

Shifrat e Zyrës së Regjistrimit tregojnë se 199 personave iu hoq shtetësia, me 104 raste vetëm në vitin 2017.

Në dy vitet e fundit, numrat kanë rënë përsëri në rreth 25 deri në 30 në vit.

Në 2019, një vajzë 19-vjeçare, e lindur në Mbretërinë e Bashkuar, Shamima Begum, u përball me heqjen e shtetësisë britanike, pasi iu bashkua grupit “Shteti Islamik”.

Të dhënat e Zyrës së Regjistrimit në Mbretërinë e Bashkuar

Në atë kohë, qeveria argumentoi se Begum nuk kishte pasaportë të huaj, porse ajo nuk do të mbetej pa shtetësi.

Bangladeshi, ku ka lindur Shamima, e konsideron këdo që lind nga një prind nga Bangladeshi si shtetas që nga lindja deri në moshën 21-vjeçare.

Zyra e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë tha se “shtetësia britanike është një privilegj, jo një e drejtë”.

Amendamenti ka shkaktuar zemërim të madh, jo vetëm te grupet e të drejtave të njeriut. Ai ka ndikuar edhe tek emigrantët dhe azilkërkuesit.

Komiteti i Përbashkët i Mbretërisë së Bashkuar për të Drejtat e Njeriut, sakaq, thotë se, nëse ky projektligj miratohet, shkel të drejtat e njeriut dhe Konventën e Refugjatëve.

Ata i kanë bërë thirrje qeverisë të marrë masa, pasi ky projektligj është i papajtueshëm me të drejtat e njeriut.

Kryesisht shtetësia u është hequr myslimanëve britanikë nga Azia Jugore, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Këto ndryshime mund të ndihen edhe te qytetarët e BE-së, si dhe të ndikojë edhe te kërkesat për azil nga vendet e BE-së.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore