Lajme

Mashtrimet me “Call Center”, 14 persona arrestohen në Prishtinë


14 persona janë arrestuar pas një aksioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritet e Gjermanisë në disa qendra të thirrjeve të njohura si “Call Center” në disa lagje të Prishtinës.

“Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

“Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet”.

Po ashtu të dyshuarve gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjeshme.

“2 vetura, 167 kompjuter desktop, 3 kompjuter laptop, 21 telefona mobil, 2 DVR; – 2 HDD; – 2 USB memorie dhe dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin”.

Arrestimet në Kosovë

Vitin e kaluar, konkretisht në muajin mars, në Kosovë ishin arrestuar 18 persona nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë gjermane.

Ata dyshohen për veprat penale të mashtrim dhe krimit të organizuar përmes “Call Center”.

Prokuroria Speciale kishte bërë të ditur se “ka sekuestruar dhe ka ngrirë 2 milionë e 389 mijë e 750 euro në kuadër të një operacionit në disa “Call-Center” në Prishtinë dhe Ferizaj nën dyshimet për mashtrim të qytetarëve gjermanë.

Po ashtu janë sekuestruar nëntë vetura si dhe një numër i konsiderueshëm kompjuterësh, serverësh dhe telefonash celularë, që janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, njofton Prokuroria Speciale.

Aksioni i Policisë së Kosovës është bërë në bashkëpunim edhe me policinë gjermane, përkatësisht me prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Gjermanisë.

Operacioni edhe në Kosovë: Zyra Qendrore Bavareze tregon për mashtrimet nga Call Center, bëhet fjalë për miliarda

Më 3 maj, pas më shumë se tri vjet hetime nga “Zentralstelle Cybercrime Bayern” – Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit kibernetikë nga Gjermania, janë arrestuar 80 persona në Gjermani, Serbi, Bullgari, Kosovë, Izrael dhe vende tjera, derisa humbjet aktuale arrijnë në 250 milionë euro.

Ndërkaq pas disa bastisjeve në qendrat e thirrjeve në Bullgari, Shqipëri, Gjeorgji, Ukrainë dhe Kosovë, janë konfiskuar makina luksoze me vlerë milionëshe.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë në Bavari të Gjermanisë, Georg Eisenreich, në një konferencë për media ku ka marr pjesë virtualisht edhe Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore