Lajme

Operacioni edhe në Kosovë: Zyra Qendrore Bavareze tregon për mashtrimet nga Call Center, bëhet fjalë për miliarda


Pas më shumë se tri vjet hetime nga “Zentralstelle Cybercrime Bayern” – Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit kibernetikë nga Gjermania, janë arrestuar 80 persona në Gjermani, Serbi, Bullgari, Kosovë, Izrael dhe vende tjera, derisa humbjet aktuale arrijnë në 250 milionë euro.

Ndërkaq pas disa bastisjeve në qendrat e thirrjeve në Bullgari, Shqipëri, Gjeorgji, Ukrainë dhe Kosovë, janë konfiskuar makina luksoze me vlerë milionëshe.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë në Bavari të Gjermanisë, Georg Eisenreich, në një konferencë për media ku ka marr pjesë virtualisht edhe Albanian Post.

Sipas Eisenreich, mashtruesit operojnë me platforma me emra të rremë, si “Globalix” ose “Alpha Fi-Grupi financiar”.

“Premtojnë fitime të larta. Karremi i tyre përfshin një sërë skemash sekrete të tregtimit të kredive, madje ka edhe të famshëm që betohen për besueshmëri në disa prej tyre”, tha Eisenreich.

Georg Eisenreich

Eisenreich paralajmëron edhe se “tregtia kibernetike është në avancim e sipër”.

“Kjo është arsyeja pse ne i grumbulluam këto raste në Zyrën Qendrore të Bavarisë të Prokurorisë së Krimeve Kibernetike tre vjet më parë. Ekipi jonë i shquar prej ekspertëve ndërkombëtarw ka arritur sukses të madh në luftën kundër kësaj forme krimi në ndërfaqen e krimit kibernetik dhe krimit ekonomik. Humbjet aktuale të raportuara në ZCB deri më tani arrijnë në 250 milionë euro. Dhe këtu mbizotërojnë rastet bavareze”.

“Ekspertët tanë supozojnë se humbjet vjetore vetëm brenda Gjermanisë shkojnë në dy miliardë. Gjithsej, procedura kundër më shumë se 900 platformave aktualisht janë në pritje në ZCB”.

Si funksionojnë mashtruesit?

Agjentët e supozuar zakonisht operojnë nga qendrat e thirrjeve jashtë vendit, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Juglindore.

Mashtruesit janë të trajnuar psikologjikisht, duke i detyruar viktimat e tyre të dorëzojnë gjithnjë e më shumë para.

Nëse një person i synuar del nga platforma, autorët thjesht i kalojnë të dhënat e tij/saj në platformën tjetër.

“Në disa raste deri në pesë milionë euro humbën në këtë mënyrë. Ky është një mashtrim i paskrupullt. Gjyqësori i Bavarian po godet këto banda të organizuara”.

Meqenëse kriminelët e organizuar janë të lidhur mirë, ZCB gjithashtu mbështetet në hetimet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, si Eurojust dhe Europol.

Në konferencë u tha se ekipe hetimore të përbashkëta janë themeluar me Spanjën, Italinë, Suedinë, Bullgarinë, Serbinë, Greqinë, Finlandën dhe Poloninë.

Ministri i Drejtësisë Eisenreich, i ka bërë thirrje të gjithë investitorëve që të shikojnë nga afër të cilit i besojnë paratë e tyre në investime shumë spekulative dhe t’i raportojnë hilet dhe mashtrimet.

“Nëse fitimi i premtuar është shumë i lartë për të qenë i vërtetë, atëherë diçka nuk është në rregull në shumicën e rasteve”.

Arrestimet në Kosovë

Vitin e kaluar, konkretisht në muajin mars, në Kosovë ishin arrestuar 18 persona nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë gjermane.

Ata dyshohen për veprat penale të mashtrim dhe krimit të organizuar përmes “Call Center”.

Prokuroria Speciale kishte bërë të ditur se “ka sekuestruar dhe ka ngrirë 2 milionë e 389 mijë e 750 euro në kuadër të një operacionit në disa “Call-Center” në Prishtinë dhe Ferizaj nën dyshimet për mashtrim të qytetarëve gjermanë.

Po ashtu janë sekuestruar nëntë vetura si dhe një numër i konsiderueshëm kompjuterësh, serverësh dhe telefonash celularë, që janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, njofton Prokuroria Speciale.

Aksioni i Policisë së Kosovës është bërë në bashkëpunim edhe me policinë gjermane, përkatësisht me prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Gjermanisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore