Lajme

Në OKB pritet të votohet Rezoluta për Srebrenicën


Ilustrim

Të enjten e 23 majit Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë pro ose kundër projekt-rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës.

Seanca në fjalë pritet të nis në orën 16:00.

Sipas Zërit të Amerikës, Gjermania, e cila është njëra nga nismëtarët e projekt-rezolutës, pritet të prezantojë para anëtarëve përmbajtjen e kësaj rezolute.

Siç raporton Zëri i Amerikës asnjë debat zyrtar nuk do të mbahet për dokumentin.

Para votimit pritet që të flasë edhe përfaqësuesi i Serbisë – Presidenti Aleksandar Vuçiç.

Draft-rezoluta ka për qëllim të shpall 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

OKB-ja, siç thuhet në draft-rezolutë, dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet, përfshirë përmes sistemeve arsimore duke zhvilluar programe të përshtatshme.

Draft-rezoluta në fjalë u referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ashtu si edhe të gjykatave vendase.

Në tekst po ashtu theksohet rëndësia e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të mbetjeve mortore të viktimave të gjenocidit në Srebrenicës, në mënyrë që ata të varrosen në mënyrë të dinjitetshme, dhe bëhen thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale për kryesit e gjenocidit në Srebrenicë, të cilët ende nuk janë përballur me drejtësinë.

Rezoluta u bën thirrje “të gjitha shtetet që të respektojnë obligimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë [GJND]”.

Po ashtu, rezoluta e OKB-së “u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare e rajonale dhe shoqërisë civile, përfshirë organizatave joqeveritare, institucioneve akademike dhe pjesëmarrësve të tjerë të rëndësishëm që të shënojnë Ditën Ndërkombëtare, përfshirë edhe shënime të veçanta dhe aktivitete për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë më 1995, si dhe edukimin e aktivitetet e duhura për të rritur ndërgjegjësimin publik”.

Gjermania dhe Ruanda janë sponsorizueset e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, pasi këto dy shtete bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e rezolutës për Srebrenicën.

Më pas, 32 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara u bënë bashkësponsorizuese, si vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë të paktën 8 mijë e 372 boshnjakë, dhe për krimet e tjera të kryera në këtë rajon, më shumë se 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore