Lajme

Maliqi: BE-ja pa strategji për dialogun – Open Balkan është drejtim i mirë


Filozofi dhe analisti politik, Shëlzen Maliqi

Filozofi dhe analisti politik Shkëlzen Maliqi është shprehur se dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është bërë i pashpresë.

Kjo për arsye se përgjegjësia për këtë bie mbi ndërmjetuesit evropianë të cilët nuk kanë strategji të qartë për të shtyrë dialogun përpara, por edhe për shkak të bllokimit të procesit nga vetë Kosova dhe Serbia, konsideron Maliqi.

“Brukseli s’ka asgjë çfarë të ofrojë, s’ka strategji të qartë”, ka thënë ai për Kosovo-Online.

“Amerikanët janë disi më të vendosur, por ata s’janë kryesorët në këtë lojë, edhe pse po punojnë tepër shumë për të zgjidhur çështjen e Kosovës, dhe kjo është, të gjendet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe të ecet tutje”.

“Tani ka premtime që diçka do të nis, por është vështirë të thuhet ose të parashihet se a do të jetë apo jo e sukseshme. Para dy vitesh të gjithë thonin se një marrëveshje do të arrihej brenda gjashtë muajsh ose një viti, kurse tani askush s’i përmend afatet kohore”, shton tutje Shkëlzen Maliqi.

Por, thotë Maliqi, edhe Serbia edhe Kosova po e bllokojnë këtë zgjidhje për arsye se “kanë frikë të bëjnë koncesione të mëdha”.

Formula e zgjidhjes, sipas Maliqit, “është dialogu dhe vullneti i mirë”.

“Sidoqoftë, asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është ekonomikisht dhe nga ana shoqërore e qëndrueshme për të siguruar tranzicione shoqërore paqësore, kështu që kurdo që kemi nevojë të zgjidhim probleme të brendshme mes shteteve dhe popujve, na duhet një ndërmjetësues, dikush që t’i reduktojë tensionet ose të hap perspektiva për të ardhme më të mirë, më shumë investime dhe bashkëpunime kulturore dhe të tjera”, thotë filozofi Maliqi.

Maliqi, zgjidhjen e marrëdhënieve të tensionura mes Kosovës dhe Serbi, por edhe ato që janë problematike në rajon, i sheh brenda nismës “Open Balkan”.

Kjo, sipas Maliqit, është një bazë e mirë që siguron mundësinë e bashkëpunimit më të madh, njëjtë sikurse projekti Unioni Evropian.

“Mendoj se një bazë e përbashkët do të ishte ndihmesë, që nuk do të ishte rinim i Jugosllavisë, por formulë e kufijve të hapur. Kjo është pse e mbështesë idenë e Open Balkan, por me rregulla strikte dhe procedura për të cilat ekzistojnë modele”.

“Bashkimi Evropian nuk u krijua brenda një dite, por ishte një ide që u zhvillua gradualisht”, deklaroi Maliqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore