Lajme

Makey: Njohja e Kosovës do jetë gjëja e parë që duhet të bëjë Ukraina pas fitores


Vjosa Osmani dhe Volodymyr Zelenskyy

Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase që ka gjetur strehë në Kosovë pas agresionit rus, në një intervistë për portalin e lajme që financohet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë “The Geopost”, ka shprehur optimizmin se gjëja e parë që Qeveria e Ukrainës do të bëjë pas përfundimit të luftës atje, do jetë njohja e Kosovës.

“Mendoj se është e padrejtë që Ukraina dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ne kemi histori të ngjashme, vlera të ngjashme, por kur lufta jonë të përfundojë me fitore, jam e sigurt për këtë, çështja e njohjes së Kosovës do të jetë gjëja e parë që duhet të bëjë Ukraina pas fitores”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret që Ukraina të marrë një “vendim të guximshëm” për themelimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën, gjatë një fjalimi në rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës në Prishtinë. E kjo, sipas gazetares ukrainase, do të vijë pas fitores.

“Tani Ukraina është plot gjak, tani ka çështje që duhet të zgjidhen menjëherë, por programi ynë iu jep shtysë edhe politikanëve që të mendojnë se Kosova meriton të njihet si shtet i pavarur në nivelin më të lartë diplomatik”, ka thënë ndër të tjera gazetarja ukrainase.

Kohën e fundit janë rritur zërat rreth mundësisë së lëvizjes së Ukrainës në drejtim të njohjes së Kosovës. Përkundër se Ukraina ka refuzuar të lëvizë nga pozicioni i saj, ajo ka qenë konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik. Një numër i caktuar i deputetëve ukrainas po e përkrahin këtë qëndrim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore